KryesoreLajme

9-vjetori i vrasjes së Astrit Deharit – Vetëvendosja dhe Kurti kërkojnë drejtësi

Në nëntëvjetorin e vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, kryeministri Albin Kurti dhe shumë figura të tjera nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë homazhe pranë varrit të tij, duke kërkuar drejtësi për rastin që ende nuk është zbardhur.

Kurti ka theksuar se Astrit Dehari “u vra në burgun e Prizrenit për shkaqe politike” dhe se mungesa e drejtësisë për këtë rast përbën një dështim të madh të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Ai tha se për nëntë vite me radhë janë ndërruar katër prokurorë, por pa asnjë përparim të dukshëm në hetime.

“Astrit Dehari ishte në burg për shkaqe politike, për shkak se nuk pajtohej me pushtetin e atëhershëm. Ai u mbyt në burg, dhe sot e kësaj dite nuk ka as të akuzuar, as të gjykuar, e lëre më të dënuar për rastin e tij. Si Republikë e Kosovës, jemi të gatshëm dhe të interesuar ta ndihmojmë Prokurorinë e Shtetit, por nëntë vjet janë shumë”, ka deklaruar ai.

Lexo më shumë  Familjarët e Erjon Bobës: Gjatë operimit të djalit në spitalin e Durrësit ikën dritat

Kurti ka theksuar se vrasja e Deharit mbetet “një plagë e hapur” dhe i bëri thirrje sistemit të drejtësisë të angazhohet më seriozisht për zbardhjen e rastit, duke propozuar që të bëhet hetim edhe për hetimet fillestare.

“Në punën e Prokurorisë dhe të sistemit të drejtësisë nuk mund të ndërhyjmë, por shprehim gatishmërinë tonë për drejtësi. Ka shumë mundësi që duhet hetuar edhe procesi i hetimit fillestar, sepse nëse diçka nis mbrapsht, vështirë se përfundon mirë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e quajti rastin e Deharit “aktin më të rëndë që ka përjetuar vendi pas luftës”, duke e krahasuar me praktikat e ish-Jugosllavisë. Ai theksoi se Astrit Dehari ishte mbajtur 67 ditë në burg pa aktakuzë dhe pa u marrë në pyetje.

“Edhe në kohën e Jugosllavisë regjimi ka sajuar aktakuza, por Astrit Deharin e kanë mbajtur në burg 67 ditë pa aktakuzë. Kjo është një prej padrejtësive më të mëdha që ka përjetuar vendi ynë. Bashkë me kryeministrin dhe familjen Dehari, bëjmë thirrje që të hetohen edhe hetimet që janë bërë deri tani”, ka theksuar Basha.

Lexo më shumë  Haxhiu për betimin e kryetarëve të rinj në komunat veriore: Nga një vend i bombave është shndërruar në një hapësirë ku jetohet qetësisht

Prindërit e Astrit Deharit, Avni dhe Xhemile Dehari, po ashtu kërkuan drejtësi për djalin e tyre, duke kritikuar institucionet e drejtësisë për mosveprim.

Nëna e të ndjerit, Xhemilja, ka theksuar se “Astriti është vrarë për shkaqe politike”, ndërsa kërkoi që prokurorët e përfshirë në hetimet e para të dalin e të thonë të vërtetën.

“Nëntë vite nuk janë pak për të pritur drejtësinë. Astriti politikisht është mbyllur dhe vrarë në burgun e Prizrenit. Le të dalin e ta thonë të vërtetën ata që e dinë çfarë ka ndodhur”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa babai i tij, Avni Dehari, tha se mosfunksionaliteti i sistemit të drejtësisë duket të jetë i qëllimshëm.

Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe student i Fakultetit të Mjekësisë, u vra më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana ende të pazbardhura.

Rruga Press

YouTube player