BotaKryesore

Sébastien Maillard: Duhet t’i kërkohet Beogradit të luajë sipas rregullave të Bashkimit Evropian

Sébastien Maillard, politolog: “Duhet t’i kërkohet Beogradit të luajë sipas rregullave të Bashkimit Evropian”

Tribunë nga Sébastien Maillard. këshilltar i posaçëm në Institut Jacques Delors dhe ekspert i asociuar në Chatham House

Në një opinion për gazetën Le Monde, këshilltari i posaçëm i Institutit Jacques Delors, Sébastien Maillard, vë në dukje tolerancën e tepruar të vendeve të BE-së ndaj Serbisë, e cila, pavarësisht se është kandidate për anëtarësim, “shkel pa hezitim parimet evropiane”.


Në Serbi, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) prej kohësh duket si një farsë. Vendi sillet si kandidat, por vetëm shtiret se po reformohet. Ndërkohë, Bashkimi Evropian bën sikur e beson këtë. Është koha të hiqen maskat. Lëvizja studentore serbe, e cila prej një viti mbron shtetin ligjor, po i detyron të gjitha palët të tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë.

Për Aleksandar Vuçiqin — president i Serbisë që nga viti 2017 — kjo fytyrë është ajo e shtypjes. Presidenti serb, ish-ministër i Millosheviqit, e sheh këtë lëvizje, e cila nisi pas shembjes së ndodhur më 1 nëntor 2024 në stacionin e trenit të Novi Sad-it që shkaktoi 16 viktima, si një “revolucion me ngjyra” të organizuar nga jashtë.

Në të vërtetë, në këtë lëvizje popullore mund të dallohen disa elemente të ngjashme me ato që përfshijnë brezin Z (“gen Z”) në vende të tjera: spontanitet në rebelim, lodhje e përgjithshme nga paaftësia e qeverisë, mosbesim ndaj politikanëve, mungesë liderësh dhe dëshirë për një të ardhme më të mirë. Pa pasur peshën demografike të Marokut apo Madagaskarit, rinia serbe ka ndezur një protestë të madhe që ka përfshirë edhe zonat rurale, për t’i dhënë fund ndarjes së errët të tenderëve publikë dhe më gjerësisht korrupsionit endemik, mediave të kontrolluara dhe drejtësisë nën urdhra të ekzekutivit.


Një politikë e shumëanshme

Në fakt, presidenti serb po i shkel haptazi parimet evropiane që është i detyruar t’i respektojë. Serbia është zyrtarisht kandidate për anëtarësim që nga viti 2014, por Aleksandar Vuçiq kënaqet me një politikë “multi-alinimi”, në emër të neutralitetit kombëtar dhe trashëgimisë së “mosalinimit” jugosllav. Ai madje mori pjesë në paradën e 9 majit në Moskë.

Lexo më shumë  Gërvalla në Vjenë për takimin e “Miqve të Ballkanit Perëndimor”

Në vend që të zbatojë sanksionet ndaj Rusisë – ndërkohë që, fshehurazi, ka armatosur Ukrainën që nga viti 2022 – Vuçiq ruan varësinë e tij nga gazi rus, të cilin e blen me çmim të reduktuar dhe që është jetik për stabilitetin e pushtetit të tij. Ai mori pjesë edhe në paradën e madhe ushtarake në Pekin në fillim të shtatorit, pas stërvitjeve të përbashkëta me ushtrinë e tij, ndërsa investime të reja kineze janë paralajmëruar në sektorin minerar të vendit.

Serbia përbën gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto të Ballkanit dhe është fuqia ekonomike më e madhe e rajonit. Litiumi i saj, veçanërisht, është i kërkuar për bateritë e automjeteve elektrike. Ajo po përgatitet të presë Ekspozitën Ndërkombëtare 2027. Si trashëgimtare kryesore e ish-Jugosllavisë, Serbia gëzon një respekt shtetëror që diplomacitë evropiane hezitojnë ta vënë në pikëpyetje — nga frika se mos destabilizohet një vend kyç për rajonin.


Një marrëdhënie e dyfishtë

Edhe Brukseli mban një marrëdhënie të dyfishtë dhe gjithnjë e më të papranueshme me Serbinë. Megjithatë, lëvizja studentore serbe mishëron pikërisht kërkesat për qeverisje të mirë që BE-ja pret nga Beogradi, siç ka pranuar edhe Marta Kos, komisionerja për zgjerimin. Por imperativi gjeopolitik që ka ringjallur interesin për zgjerim pas pushtimit të Ukrainës ka dobësuar rolin reformues të perspektivës së anëtarësimit.

BE-ja po “pajtohet” me Vuçiqin nga frika se mos e shtyn edhe më shumë drejt Moskës dhe Pekinit; nga frika se mos e dekurajon për normalizimin me Kosovën; apo se mund të dështojë anëtarësimi i Malit të Zi, ku Serbia mban ndikim, ashtu si në entitetin serb të Bosnjës. Opozita, ndërkohë, nuk ofron një alternativë të besueshme. Kjo mund të jetë e kuptueshme diplomatikisht, por nëse BE-ja vazhdon ta tolerojë gjithçka për të mbajtur Serbinë “në lojë”, procesi i zgjerimit rrezikon të shndërrohet në farsë.

Lufta në Ukrainë e bën të domosdoshme zgjedhjen e anës. Presidenti serb duhet të ndalojë së luajturi në të gjitha drejtimet anti-perëndimore, ndërkohë që kërkon vendin e tij në BE. Nga ana tjetër, BE-ja duhet të tregojë më shumë vendosmëri në kërkesat e saj dhe të rifitojë besimin e protestuesve dhe të popullsisë serbe, e cila po ndahet gjithnjë e më shumë për çështjen e anëtarësimit.

Lexo më shumë  Kosova e Britania drejt marrëveshjeve strategjike në mbrojtje e siguri

Ursula von der Leyen, më e ashpër

Evropa më në fund po ashpërson tonin, me shpresën që presidenti serb ta marrë seriozisht. Raporti i Komisionit që do të publikohet më 4 nëntor mbi përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit pritet të reflektojë qartë këtë ndryshim qëndrimi. Gjatë vizitës së saj më 15 tetor në Beograd, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, u tregua më e prerë. Ajo u takua me përfaqësues të shoqërisë civile.

Partia Popullore Evropiane — forca e djathtë pro-evropiane ku bën pjesë partia e Vuçiqit — ka nisur një hetim për lidhjet e saj me këtë formacion politik. Ndërkohë, lëvizja studentore serbe u rendit ndër tre finalistët e çmimit “Saharov” të Parlamentit Evropian, i cili së fundmi votoi një rezolutë kundër shtypjes së saj.


Por nevojitet ende një vendosmëri e përbashkët e Parisit, Berlinit dhe kryeqyteteve të tjera për t’i kërkuar Beogradit të pozicionohet qartë në anën evropiane. Ndërkohë që Vuçiq kërkon përjashtim nga tarifat dhe kuotat e reja të BE-së për importin e çelikut, dhe kushtet për përfitimin nga plani evropian i rritjes ende nuk janë plotësuar, vendet e BE-së duhet të kërkojnë përparime të dukshme në klimën e biznesit dhe reforma demokratike të prekshme. Vetëm kështu do të bëhet e qartë se aspirata për t’u bërë anëtar i BE-së nënkupton një sjellje koherente politike — dhe jo vetëm përshtatje teknike.

Në këtë moment të ristrukturimit gjeopolitik të kontinentit, çështja është shumë më e madhe se një vend me 6,7 milionë banorë. Serbia nuk ka interes të shohë fqinjët e saj të përparojnë brenda BE-së pa të, siç ndodhi me Kroacinë. Edhe Evropa nuk ka interes t’ia lërë Rusisë dhe Kinës një bazë rivale destabilizuese në Ballkan. Por as nuk ka interes të lejojë ngritjen e një “aktori të ri përçarës” në skenën evropiane.

YouTube player