Faton Peci ngre padi penale ndaj Baton Haxhiut, Berat Buzhalës, Lirim Mehmetajt, Visar Ymerit, Ilir Mirenës, Valon Sylës, Ermal Pandurit, Valon Fekës, Shkumbin Kajtazit
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Faton Peci, njëherësh kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës në zgjedhjet e fundit lokale, ka njoftuar se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj disa gazetarëve, të cilët kanë zhvilluar një luftë hibride të informacionit me synim ndikimin e paligjshëm në procesin zgjedhor në Mitrovicë.
Në deklaratën e bërë publike në llogarinë e tij në Facebook, Peci shkruan se pas një “analize të thellë të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut” dhe pas “shqyrtimit të dëshmive dhe argumenteve të manipulimeve e ndikimit të palejueshëm e kriminal në votën e qytetarëve”, ai dhe ekipi i tij kanë vendosur të ndërmarrin hapa ligjorë.
“Do të dorëzojmë padi penale ndaj Baton Haxhiut, Berat Buzhalës, Lirim Mehmetajt, Visar Imerit, Ilir Mirenës, Valon Sylës, Ermal Pandurit, Valon Fekës, Shkumbin Kajtazit dhe të tjerëve për dyshimin e bazuar të cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve, të sanksionuar me nenin 210, dhe të falsifikimit të rezultateve të votimit, sipas nenit 216 të Kodit Penal të Kosovës,” shkruan Peci.
Sipas tij, gjatë fushatës zgjedhore dhe veçanërisht gjatë ditës së zgjedhjeve, disa media dhe individë të lidhur me “grupe të jashtëligjshme interesi” kanë ndërmarrë veprime të koordinuara që, siç thotë ai, “kanë synuar krijimin e konfuzionit dhe devijimin e jashtëligjshëm të vullnetit të qytetarëve”.
“Pa pritur që të përfundojë procesi zgjedhor, gjatë tërë ditës janë bërë shpifje, linçime, akuza të rreme dhe manipulime me numra, duke kulmuar me publikimin e të ashtuquajturve ‘exit poll’ të paligjshëm, që shumë shpejt u dëshmua se jo vetëm që nuk e pasqyronin vullnetin real të votuesve, por qëndronin shumë larg tij,” thekson ai.
Peci shton se qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve ishte “ndryshimi i rezultatit të zgjedhjeve përmes presionit mediatik dhe ndërhyrjeve psikologjike ndaj opinionit publik”, duke e quajtur këtë një formë të luftës hibride të informacionit.
Ministri i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin “me urgjencë, drejtësi dhe meritë”, duke paralajmëruar se në ditët në vijim do të paraqiten edhe fakte dhe dëshmi të tjera që, sipas tij, do të provojnë manipulimet e pretenduara.
“Gjatë ditëve në vijim do të paraqesim dëshmi të bazuara në deklarimet e qytetarëve dhe të entiteteve të tjera. Transparenca është tipar që na dallon si individë, si politikanë e si parti politike, ndërsa mbrojtja e votës së qytetarëve të Mitrovicës është parimi dhe prioriteti ynë kryesor,” përfundon reagimi i Pecit.
Reagimi i plotë:
Kallëzim penal
Të nderuar qytetarë të Mitrovicës dhe të Kosovës.
Pas analizës së thellë të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut dhe shqyrtimit të dëshmive e argumenteve të manipulimeve dhe ndikimit të palejueshëm e kriminal në votën e qytetarëve, njoftojmë opinionin se do të dorëzojmë padi penale ndaj personave të mëposhtëm:
Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Visar Imeri, Ilir Mirena, Valon Syla, Ermal Panduri, Valon Feka, Shkumbin Kajtazi dhe të tjerë për dyshimin e bazuar të Cenimit të Përcaktimit të Lirë të Votuesve, të sanksionuar me nenin 210 dhe të Falsifikimit të Rezultateve të Votimit sipas nenit 216 të Kodit Penal të Kosovës.
Ndërkohë që institucioneve të drejtësisë iu bëjmë thirrje për trajtim urgjent, të drejtë dhe meritor të këtyre krimeve, gjatë ditëve në vijim do të paraqesim edhe fakte, argumente e dëshmi të tjera, të bazuara në deklarimet e qytetarëve dhe entiteteve të tjera.
Gjatë fushatës zgjedhore, e veçanërisht gjatë ditës së zgjedhjeve, pa pritur, ashtu siç e përcakton Ligji për Zgjedhjet, të përfundojë procesi zgjedhor, disa “”medie“ dhe individë të lidhur me grupe të jashtëligjshme interesi, gjatë tërë ditës kanë ndërmarrë veprime të sinkronizuara – përmes shpifjeve, linçimeve, akuzave të rreme, numrave të manipuluar e duke kulmuar me publikimin e të ashtuquajturve “exit poll” të paligjshëm, që shumë shpejt u dëshmua që jo vetëm që nuk e pasqyrojnë aspak vullnetin real të votuesve në Mitrovicë, por madje qëndrojnë shumë larg. Qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve ishte krijimi i konfuzionit, duke tentuar të ndikojnë dhe devijojnë jashtëligjshëm vullnetin e qytetarëve në Mitrovicë dhe të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Të nderuar qytetarë të Mitrovicës dhe të Kosovës, do t’ju mbajmë të informuar për gjithçka. Transparenca është tipar që na dallon si individë, si politikanë e si parti politike dhe respektimi dhe mbrojtja e votës së qytetarëve të Mitrovicës është parimi dhe prioriteti ynë kryesor.
Rruga Press

