KryesoreLajme

Hajrulla Çeku prezanton planin për transformimin e Bregut të Diellit

Kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka prezantuar vizionin e tij për zhvillimin e lagjes Bregu i Diellit, një nga zonat më të mëdha dhe më të rëndësishme të kryeqytetit.

Në takimin me banorët, Çeku tha se plani për këtë lagje përfshin ndërtimin e parkingjeve nëntokësore dhe të rezervuara për banorët, lidhjen e rrugëve për të zvogëluar kolonat, vendosjen e kufizimeve të shpejtësisë dhe shtimin e trotuareve e shtigjeve për biçikleta.

Lexo më shumë  Restaurohet Shtëpia historike në Prizren, Çeku: Investim në trashëgimi

Ai premtoi gjithashtu zgjerimin e shkollës “Ismail Qemali”, rritjen e kapaciteteve të çerdheve dhe hapjen e qendrave rinore për arsim e kulturë. Po ashtu, do të ketë rikthim të parqeve e hapësirave të uzurpuara, ndërtim të një parku rekreativ-sportiv pranë shkollës dhe zgjidhje për çështjen e qenve endacakë.

Çeku theksoi se vizioni për Bregun e Diellit përfshin edhe rritjen e sigurisë, ndriçimin e lagjes, zgjerimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe kthimin e saj në një hapësirë gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit.

Pjesë e planit janë edhe zgjerimi i rrjetit të Termokosit, subvencionet për ngrohje efiçiente, rivitalizimi i Qendrës Tregtare dhe ndërtimi i një tregu lokal për prodhime vendore.

Ky është vizioni ynë për një Breg të Diellit që i jep dinjitet dhe mundësi secilit banorë”, u shpreh Çeku.

Rruga Press

YouTube player