KryesoreLajme

Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu: Gjykata Kushtetuese ka dy rrugë – ose e mbyll çështjen e Kuvendit, ose shpall zgjedhje të reja

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme mbi konstituimin e Kuvendit. Ai tha se Kushtetuesja ka vetëm dy rrugë të vlefshme dhe të bazuara në Kushtetutë.

“E para,” theksoi Sallahu, “është që Gjykata të vlerësojë mbi bazën e nenit 67, paragrafi 4 të Kushtetutës, se refuzimi i Listës Serbe për të propozuar kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit, nënkupton dorëheqje nga e drejta për nominim. Si rrjedhojë, Kuvendi tashmë e ka përmbyllur fazën e konstituimit.”

Lexo më shumë  Kurti: Me projektligjin për çmimet tavan evitohen keqpërdorimet në emër të krizave

Ai kujtoi se një situatë e ngjashme ishte trajtuar më parë nga Gjykata Kushtetuese në rastin e formimit të qeverisë, ku mosparaqitja e mandatarit u interpretua si humbje e të drejtës kushtetuese për të propozuar mandatarin.

“E dyta,” shtoi Sallahu, “është fakti që Kuvendi tashmë ka ezauruar edhe procedurën e shortit, siç përcaktohet në Rregullore, me tri herë për secilin kandidat. Kjo do të thotë se aktgjykimi i mëparshëm i Kushtetueses është zbatuar plotësisht. Në këtë situatë, Gjykata duhet të autorizojë Presidenten e vendit që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme, në bazë të nenit 82 të Kushtetutës, sipas analogjisë.”

Lexo më shumë  Kurti: Projektligji për Çmimet Tavan eviton keqpërdorimet në emër të krizave të vazhdueshme dhe rritjen apo fryrjen artificiale të çmimeve

Ministri paralajmëroi se çdo vendim tjetër, që del jashtë këtyre dy opsioneve, do të ishte kundërkushtetues dhe do ta bënte Republikën e Kosovës të varur nga Lista Serbe, një subjekt që, sipas tij, çdo ditë minon rendin kushtetues të vendit.

YouTube player