VV e dërgon në Gjykatën Supreme vendimin e PZAP-së për certifikimin e Listës Serbe: “Pluralizëm po, por jo terrorizëm”
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Supreme vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili obligoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në ankesën e saj, VV thekson se anëtarët e KQZ-së vepruan në përputhje me ligjin kur votuan kundër certifikimit, duke u bazuar në nenin 63 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në nenin 17 që u jep diskrecion të plotë anëtarëve të KQZ-së për të miratuar apo refuzuar certifikimin e një subjekti politik.
“Anëtarët e KQZ-së kanë zbatuar dispozitat ligjore që ua japin të drejtën ekskluzive për të vendosur mbi certifikimin. Ata nuk kanë vepruar jashtë ligjit, por në mbrojtje të tij,” thuhet në ankesën e VV-së.
Vendimi i PZAP-së dhe reagimet
PZAP kishte konstatuar se KQZ nuk e kishte bazuar vendimin e saj në mënyrë të duhur dhe se nuk ishte dëshmuar se kandidatët e Listës Serbe bien ndesh me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur. Për këtë arsye, ky organ kishte anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht.
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, e ka quajtur vendimin e PZAP-së “veprim skandaloz”, ndërsa deputetja Albulena Haxhiu kishte paralajmëruar qysh më parë se çështja do të dërgohej në Supreme.
Pse VV ka të drejtë të kundërshtojë certifikimin
Argumenti i Vetëvendosjes se Lista Serbe nuk duhet certifikuar nuk është vetëm politik, por edhe ligjor dhe moral.
- Sulmi terrorist në Banjskë (24 shtator 2023): ku pjesëtarë të Listës Serbe ishin të përfshirë në një atentat kundër Policisë së Kosovës.
- Shantazhi dhe presioni ndaj komunitetit serb: duke mos i lejuar qytetarët serbë të Kosovës të votojnë lirshëm, por sipas urdhrave të Beogradit.
- Bojkotet dhe bllokadat politike: Lista Serbe ka bllokuar në mënyrë të përsëritur institucionet e Kosovës, duke i përdorur ato si instrument për destabilizim.
- Pjesëmarrja në struktura ilegale: lidhja e saj e drejtpërdrejtë me mekanizmat e Serbisë në veri të vendit bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe rendin ligjor.
Këto fakte, sipas VV-së, tregojnë qartë se Lista Serbe nuk funksionon si një subjekt normal politik brenda sistemit demokratik të Kosovës, por si instrument i Beogradit, i cili përdor shantazh dhe dhunë për të kontrolluar procesin politik në veri.
Rreziku i rikthimit të kontrollit në veri
Lista Serbe vendosi të rikthehet në zgjedhjet e këtij viti pas bojkotit të zgjedhjeve të kaluara, duke bërë që kryetarët shqiptarë të mbanin pushtetin në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Nëse certifikohet, ajo pritet t’i rimarrë këto komuna, gjë që do të rikthente ndikimin politik të Serbisë në institucionet e Kosovës.

Rruga Press

