Një tjetër dëshmitar “fundos” Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën
Hetimet e SPAK kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, kanë marrë një kthesë të re, pasi një tjetër dëshmitar ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë.
Pas financieres Adela Kondakçi, që u bë e penduara e parë e çështjes, dëshmitari G.S., i hetuar si pjesë e dosjes, ka ndryshuar deklaratat e tij lidhur me 220 mijë eurot e gjetura në zyrat e firmës “Partners Law” të Ajola Xoxës. Fillimisht ai kishte marrë përsipër shumën, por më pas ka treguar para prokurorëve se nuk ka paguar kurrë një shumë të tillë në cash dhe as e kishte porositur atë.
Në dokumentet e akuzës, G.S. pranon se kontrata për këtë shumë nuk ishte përpiluar prej tij, edhe pse e kishte firmosur, duke shtuar se hartimi dhe nënshkrimi i saj i ishin kërkuar nga Ajola Xoxa si “favor”. Ai thotë se nuk e kishte ditur se kjo kontratë do të paraqitej në prokurori dhe gjykatë.
Ndërkohë, Ajola Xoxa rezulton të ketë kryer manovra me kompaninë e saj “Partners Law”, duke ia kaluar kuotat znj. Greta Domi, me një marrëveshje të firmosur në janar 2019, por të depozituar në QKB vetëm në shkurt 2021, duke ngritur dyshime për qëllimet reale të këtij veprimi.
Sipas vendimeve të gjykatës, kompania “Gogel” e Arbër Veliajt, një tjetër personazh i lidhur me këtë çështje, ka kryer pagesa të konsiderueshme ndaj “Partners Law”.
Rruga Press

