Zelenksky dhe Papa Leo XIV sugjerojnë Vatikanin si vend për bisedimet e paqes në Ukrainë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, zhvilloi të mërkurën një takim me Papa Leo XIV në rezidencën verore të Papës në Castel Gandolfo, përpara Konferencës së katërt të Rimëkëmbjes së Ukrainës që po mbahet këtë javë në Romë.
Në qendër të bisedimeve mes dy liderëve ishte mundësia që Vatikani të shërbejë si vendi pritës për bisedimet e ardhshme të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.
Sipas një deklarate të Selisë së Shenjtë, Papa Leo XIV dhe presidenti ukrainas diskutuan “nevojën urgjente për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, ndërsa Ati i Shenjtë përsëriti gatishmërinë e Vatikanit për të mirëpritur përfaqësuesit e të dy palëve në negociata.
Ai shprehu keqardhje për viktimat e konfliktit dhe theksoi mbështetjen për përpjekjet që synojnë lirimin e të burgosurve dhe rikthimin e fëmijëve ukrainas të marrë nga Rusia.
Zelenskyy falënderoi Papën për ndërhyrjen e tij në çështjen e ribashkimit të fëmijëve ukrainas me familjet e tyre, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të mëtejshme në këtë drejtim.
“Kërkojmë ndihmën dhe lutjet tuaja për të na i kthyer fëmijët e vjedhur nga Rusia gjatë kësaj lufte”, deklaroi ai për gazetarët.
Papa Françesku kishte emëruar më herët kardinalin Matteo Zuppi si i dërguar i posaçëm për të lehtësuar kthimin e fëmijëve dhe për të ndërtuar ura komunikimi mes palëve ndërluftuese.
Megjithatë, pas një fillimi të vrullshëm diplomatik, përpjekjet e tij janë zbehur në sferën publike.
Sipas të dhënave zyrtare ukrainase, mbi 19,500 fëmijë janë deportuar në Rusi që nga fillimi i pushtimit të plotë më 24 shkurt 2022, por vetëm 1,350 janë kthyer deri tani – të gjitha rastet përmes ndërmjetësimit të shteteve të treta, si Vatikani, Katari dhe Afrika e Jugut.
Vatikani nuk ka bërë publike detaje për numrin e fëmijëve që ka ndihmuar të kthehen apo metodat e përdorura.
Papa Leo XIV ka qenë një mbështetës i zëshëm i popullit ukrainas, duke denoncuar vazhdimisht agresionin rus si një “luftë të pakuptimtë”.
Javën e kaluar, gjatë një takimi me peshkopët dhe pelegrinët grekë-katolikë ukrainas, Papa tha se “nuk është e lehtë të gjesh fjalë ngushëllimi për familjet që kanë humbur të dashurit”, duke theksuar plagët e rënda fizike dhe shpirtërore që po i shkaktohen popullsisë civile.
Rruga Press

