Behgjet Pacolli i bindej Hashim Thaçit me një fishkëllimë, sa herë që i duhej qoftë për ta bërë Qeverinë, qoftë për ta rrëzuar atë! Albin Kurtit nuk i mbeti rrugë tjetër, pos që në katër vite ta riparoj dëmin e shkaktuar
Shkruan Xhevdet Pozhari
Po më thonë pse po ja ndihmon Albinit me shkrime, veç pse po publikoj lajme të mira nga të cilat do të përfitojnë krejt qytetarët!
Edhe për njoftimin se ka filluar ndërtimi i Depos Qendrore të Barnave, menjëherë mu vërsulën me pyetje nga më të ndryshmet.
Qetu ju pritsha! E, tash me këtë shkrim keni të drejtë me thënë se po ia “ndihmoj” Albinit. Veç për pikë të qefit që me ua çjerrë maskat atyre që deshtën ta privatizojnë krejt Kosovën.
Fillojmë!
QKUK nuk ka qenë gjithmonë pa depo të barnave. Ju që jeni të moshës 20 vjeçare nuk keni nga ta dini se ajo është privatizuar saktësisht para 20 viteve. Sot aty ndodhet ndërtesa e EULEX-it. E, dikur ishte FARMED vendi ideal për farmaceutikë, afër QKUK-së.
● Maj, 2005. Asokohe, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) shpalli zyrtarisht valën e 5-të të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore (NSH), të cilat u nxorën në tender për privatizim. Ndërmarrjet e kësaj vale do të privatizoheshin në korrik të atij viti. Në mesin e tyre, edhe FARMED (ku tani është i vendosur EULEX-i.
● FARMED ishte kompania kryesore tregtare farmaceutike për shitje me shumicë. Në pronësi kishte një sipërfaqe rreth 11 000 m2 tokë, 400 m2 zyra, 7 700 m2 objekt për magazinim, dy dhoma për ftohje, laborator për ekzaminim, lifte dy tonësh, Garazh, 30 000 litrash tanku i alkoolit, tanku i dytë për magazinim prej 10 000 litrash, ndërtesat dhe pajisjet – që gjitha në gjendje të mirë funksionale.
● Në të njëjtin vit (2005), Kompania “Mabetex Projekt”, pronë e Behgjet Pacollit, privatizoi ndërmarrjen shoqërore “FARMED” në vlerë prej 2.4 milionë euro. Dhe, jo vetëm këtë!
● Një vit më vonë, në 2006, Pacolli do ta themelonte AKR-në që gjatë veprimtarisë së saj do të njihej si satelit i PDK-së.
● Për më shumë se 8 vite, EULEX-i është me qera në atë ndërtesë, ish FARMED të privatizuar nga Pacolli. Gjykuar nga hapësira që ka ky kompleks dhe pozicionin e saj, njohësit e pronave vlerësojnë se qeraja mund të shkojë deri në 50 mijë euro në muaj.
Me 50 mijë euro qera në muaj, Pacollit do t’i mjaftonin 4 vite që ta rikthejë plotësisht investimin e tij. Pra, 2.4 milionë. (12 muaj × 50 mijë = 600 mijë. 600 mijë × 4 = 2.4 milionë). Si përfundim, pas 4 viteve do t’i mbetej falë edhe kompleksi, edhe fitimi nga qeraja për vitet e ardhshme.
…Ndërkohë, barnat kalbeshin në podrumet me lagështi! Madje, edhe aty dolën përfitues të rinj që i lëshonin hapësirat me qera.
Pra, me një veprim të Qeverive të mëparshme dhe grupeve parapolitike, Kosova mbeti pa siguri të ruajtjes së barnave, e shteti pa depo qendrore.
Besoj, tash po e kuptoni më qartë se pse Behgjet Pacolli i bindej Hashim Thaçit me një fishkëllimë, sa herë që i duhej qoftë për ta bërë Qeverinë, qoftë për ta rrëzuar atë!
Albin Kurtit nuk i mbeti rrugë tjetër, pos që në katër vite ta riparoj dëmin e shkaktuar, aty ku është e mundshme. Prandaj, sot është lajm tepër i rëndësishëm pse shteti pas 6 muajsh do të bëhet sërish me Depo Qendrore të Barnave, të cilën Kosova e kishte bashkë me shumë ndërmarrje të tjera shoqërore. Por, të cilat politika ia grabiti egërsisht, me çmime qesharake, në emër të “zhvillimit”! Ose thënë troç, pasurimit të pushtetarëve mbi djersen shumëvjeçare të qytetarëve.
Për ironi, nuk do të befasohesha nëse këta që janë uritur për pushtet, një ditë kur të ktheheshin në Qeveri do ta privatizojnë edhe Depon e re të Barnave me një spin off të ri special!
Kjo, ngaqë si popull jemi shumë të mirë, por e kemi një të metë të madhe – harrojmë shumë shpejt!
Rruga Press

