KryesoreLajme

Dosja Veliaj-Xoxa: Hetimet, akuzat dhe faktet e përmbledhura për korrupsion e pastrim parash

Nga Arbjona Çibuku

Prej 10 shkurtit Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ndodhet prapa hekurave, nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), dyshon se ai dhe bashkëshortja Ajola Xoxa, gjithashtu nën hetim, përfituan 1.1 milionë euro përmes skemave korruptive.

Hetimet paraprake tregojnë se paratë qarkulluan nga kompani dhe organizata jofitimprurëse të kontrolluara apo lidhura me Xoxën.

Ato u gjeneruan nga pagesa fiktive prej punonjësve të saj, fonde publike dhe dhurimet e të paktën 6 sipërmarrësve në marrëdhënie biznesi me bashkinë e Tiranës.

Si një përgjigje ndaj orvatjeve dezinformuese për ta shtrembëruar dhe relativizuar hetimin, Citizens.al sjell në këtë artikull të gjitha detajet e çështjes Veliaj, të përmbledhura në mënyrë skrupuloze, me synimin për t’i dhënë qartësi qytetarëve.

Kronologjia: Si vijuan hetimet e SPAK

Një shkresë e SPAK, e rrjedhur në media më 21 maj 2024, zbuloi se Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe bashkëshortja Ajola Xoxa ishin nën hetim pasuror.

Dokumenti i drejtohej bankave, ndërsa mediat spekuluan mbi lidhjen e hetimit me çështjen “5D Konstruksion,” ku disa ish-vartës të Veliajt u arrestuan për një skemë korruptive të përvetësimit të parave publike.

Veliaj ishe thirrur edhe më herët në SPAK (30 Prill 2024), ku dëshmoi rreth shtatë orë në cilësinë e personit në dijeni për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Në fjalën e tij për mediat, Veliaj vlerësoi disa herë prokurorët si “kolegë profesionistë,” fjalë që sot, në kushtet e paraburgimit, i ka zëvendësuar me fyerje të përditshme  për “kolegët” e tjerë të SPAK.

Dokumentet e shqyrtuara nga Citizens, tregojnë se në të vërtetë SPAK kishte rreth një vit që mblidhte informacione për Veliajn dhe Xoxën.

19 korrik 2023,SPAK merr një letër anonime nga dërguesi me pseudonimin Nesti Angoni, që kishte vendosur si adresë dërguesi rrugën “5 Maji,” zonë që ka vuajtur shpronësime të dhunshme për hir të zhvillimit urban të promovuar nga Veliaj.

8 shkurt 2024, SPAK nis zyrtarisht procedim penal ndaj Veliajt dhe Xoxës nën dyshimin për korrupsion.

21 maj 2024, mediat publikojnë shkresën e SPAK drejtuar bankave që provoi se Veliaj dhe të afërmve po u hetohej pasuria.
Rrjedhja e shkresës u dha kohë Veliajt dhe Xoxës të rishikonin situatat e tyre financiare. Dëshmitarë thanë se Xoxa nxitoi të formalizonte kontrata qiraje për studiot e saj.

SPAK dyshon për rritje fiktive të shpenzimeve ndërkohë që, të paktën 8 organizata jofitimprurëse, mbi 70 kompani dhe 80 persona u vunë nën lupën e hetuesve.

6 dhjetor 2024, SPAK sekuestroi dokumente dhe mbi 11 milionë lekë gjatë kontrolleve në studiot dhe apartamentin e Xoxës.
“Familjarët e mi dhe unë […] do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të drejtësisë,” deklaroi Veliaj më 6 dhjetor, “S’bëj pjesë në kastën që u vendos mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe llogaridhënien”.

Por ndryshe nga sa shprehej publikisht dy muaj më parë, Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij u angazhuan për të penguar prokurorët e SPAK.

24 janar 2025, deputetja Klotilda Bushka vihet nën hetim për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës,” pasi u provua se së bashku me Xoxën ushtruan presion mbi dëshmitarë, duke ndërruar telefonin e njërit prej tyre.

9 shkurt 2025, SPAK kërkoi arrestimin e Veliajt. Në kërkesën për masën e sigurisë, thuhej se ai dhe Xoxa nuk shfaqën pendesë, mohuan përgjegjësitë dhe tentuan të ndikojnë te dëshmitarët.

Pas arrestimit, Veliaj nisi sulme verbale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që vendosën masën ndaj tij.

Verifikimet e SPAK mbi deklaratat e pasurisë të çiftit Veliaj-Xoxa, kanë ngritur dyshime për pasuri të pajustifikuara dhe transaksione të dyshimta për pastrim parash.

Veliaj figuron me një apartament dhe rreth 60,000 euro kredi të marrë në vitin 2015, ndërsa Xoxa me rreth 620,000 euro të deklaruara në llogari bankare dhe dy apartamente në zona të lakmuara të Tiranës.

Një vilë në Qerret dyshohet se u la qëllimisht në pronësi të kompanisë ndërtuese për t’iu shmangur deklarimeve, ngjashëm si me shitjen e një prone te “Shkolla e Kuqe” një kushëriri, i cili e dha më pas për pallat.

Pronat: Pasuritë me probleme të çiftit Veliaj-Xoxa

Sipas verifikimeve të deklaratave të pasurisë nga SPAK, Erion Veliaj nuk zotëron prona të shumta, përveç një apartamenti prej 111.2 m² të porositur në vitin 2003.

Apartament kati i 8-të në një pallat në rrugën Hoxha Tahsin blerë nga kompania “Aurora Konstruksion,” për rreth 5 milionë lekë me investitorë Agron Jaupllarin, Thanas Popën dhe Sulejman Hajdarin.

Gjatë viteve, Veliaj ka pasur dy automjete: një Peugeot (2008) dhe një Volkswagen (2003), të blera për një total prej 29,000 eurosh ndërmjet viteve 2008-2013 dhe të shitura për 8,000 euro në vitin 2017.

Ndërkohë, në vitin 2015, ai ka marrë një kredi 15-vjeçare me vlerë 6 milionë lekë.E ëma e Veliajt zotëron një apartament prej 88.27 m², të porositur në vitin 2004 te e njëjta kompani.

Apartament kati i 6-të në një pallat në rrugën Hoxha Tahsin blerë nga kompania “Aurora Konstruksion,” për rreth 7 milionë lekë, e cila është shlyer me këste deri në vitin 2014.

Ajo është një ndër trashëgimtaret e 268 dynymëve kullota të familjes Ormënaj në fshatin Ramicë të Bratajt (Vlorë), kthyer nga Komisioni i Kthimit të Pronave me vendim të vitit 2001.

Nga ana tjetër, bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, zotëron dy apartamente me sipërfaqe 162 m² dhe 107.1 m²porositur dhe blerë në vitet 2012 dhe 2018.

Apartament kati i 2-të “Rruga e Ullinjve” në rezidencën Kodra e Diellit, porositur nga prindërit e saj për rreth 88,600 euro, pranë kompanisë AgiKons, me investitor Gentian Sulën.

Apartament kati i 10-të në një pallat në rrugën Brigada VIII-të, në ish-Bllok, blerë për 105,000 euro kompanisë Apollonia shpkë me investitorë Shpëtim dhe Miranda Balla.

Xoxa ka trashëguar shumicën e aksioneve të shtëpisë botuese “Botimet Enciklopedike” nga i ati, Arben Xoxa (i ndarë nga jeta në vitin 2019), dhe prej vitit 2018 ka hapur studion ligjore “Partners Law”.

Ajo gjithashtu i ka dhuruar nënës së saj pjesën takuese nga trashëgimia e babait të tre apartamenteve në Tiranë dhe zotëron 375 m² tokënë fshatin Çlirim të Fierit.

Në vitin 2020, ajo ia ka shitur kushëririt një makinë Mercedes Benz (2010) dhe 1 dynymtruall, bashkë me dy ndërtesa (130 m² dhe 147 m²) të trashëguara nga i ati në rrugën Qemal Stafa në Tiranë, për një shumë totale prej 163,000 eurosh.

SPAK dyshon se shitjet kanë qenë fiktive, pasi:

Kushëriri, pedagog arti dhe anëtar i bandës frymore të Bashkisë Tiranë, ka pasur të ardhura mujore rreth 110,000 lekë, të pamjaftueshme për blerje të tilla.

Ai figuron përfitues i një kredie të butë nga Bashkia Tiranë.

Automjeti të cilin i ati i Xoxës e bleu për 7,000 euro në vitin 2016, është deklaruar i shitur për 23,000 euro në vitin 2020, një çmim trefish më i lartë se blerja.

Prona e blerë në rrugën Qemal Stafa u dha për ndërtimin e një pallati 8-katësh dhe leja e ndërtimit u dha nga Veliaj në vitin 2023.

Sipas denoncimit të dërguar SPAK-ut nga personi me pseudonimin Nesti Angoni, Veliaj dhe Xoxa zotërojnë një vilë të padeklaruar në Qerret.

Në këtë denoncim pretendohet se ai ka pasur tre të tillanë Marea Resort të kompanisë AgiKons, ku njëra është shembur për të fituar hapësirë dhe një tjetër është kaluar në emër të vëllait.

Në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, rezultoi se një vilë 2-katëshe me 450 m² truall është në emër të Arbër Veliajt, të cilën ai deklaron se e ka blerë në vitin 2020 për 164,000 euro nga AgiKons e Sulës.

Lexo më shumë  Vulini akuzon Perëndimin për destabilizim të Serbisë, pas takimit me kryespiunin rus

Ndërkohë, vila e dytë – 190 m² me 500 m² truall, – figuron ende në emër të AgiKons-it, ndërsa SPAK ka marrë deklarata kontradiktore nga çifti Veliaj-Xoxa dhe sipërmarrësi Sula.

Sipas çiftit, kjo vilë është e prindërve të Xoxës. Nga ana tjetër, Sula pretendon se vila është porositur nga Arben Xoxa në vitet 2017-2018 si pjesë e një marrëveshjeje shkëmbimi, ku ai ka hequr dorë nga një apartament në Marea Resort për të përfituar vilën, kundrejt një pagese shtesë prej 30,000 eurosh.

SPAK dyshon se marrëveshja e pretenduar nuk është noterizuar qëllimisht dhe emri i kompanisë është mbajtur për të fshehur pronarët e vërtetë të vilës: çiftin Veliaj-Xoxa.

Faktorët që forcojnë dyshimet e SPAK-ut:

Xoxa është përfshirë drejtpërdrejt në arredimin dhe punimet e vilës.
Në vilë është ndërtuar një dhomë e veçantë për djalin e tyre.
Veliaj ka pasur çelësa personalë të saj.
Për një periudhë njëvjeçare, ai ka paguar shpenzimet e mirëmbajtjes.
Sipas gjurmimeve telefonike, Veliaj ka qëndruar atje më shumë sesa vetëm në fundjava.

Por përtej vilës së padeklaruar, SPAK ka identifikuar parregullsi të tjera në deklaratat e pasurisë së çiftit përpiluar prej vitit 2013:

Veliaj nuk ka deklaruar qëllimin e kredisë 6 milionë lekëshe të marrë në vitin 2015.
As Veliaj dhe as Xoxa nuk kanë deklaruar adresa dytësore apo shpenzime për arredime të banesave apo zyrave.
Kryetari i Bashkisë ka deklaruar si të ardhura edhe dietat apo biletat e udhëtimeve zyrtare, duke ngritur dyshime mbi burimin real të financimit të udhëtimeve të tij.
Apartamenti në ish-Bllok, u ble nga Xoxa me një çmim tre herë më të ulët se rivlerësimi prej 300,000 eurosh i vitit 2011.

Në hetimet e saj SPAK shqyrtoi të dhënat bankare dhe deklaratat e bëra nga dhjetëra sipërmarrje që kanë pasur të bëjnë me Xoxën si dhe organizatat jofitimprurëse që kanë bashkëpunuar me të duke përfituar edhe fonde publike.

Hetimet kanë pikasur qindra mijëra euro faturime nga sipërmarrjet e afërta me Xoxën teksa janë ngritur dyshime në lidhje me mënyrat e sponsorizimit të aktiviteteve, të cilat SPAK dyshon se kanë përfshirë edhe pagesa korruptive të sipërmarrësve që fitonin tenderë dhe leje ndërtimi nga Veliaj si kryetar i Bashkisë Tiranë.

Flukset e parave: OJF-të dhe transaksionet e dyshimta

SPAK dyshon se Xoxa ka kanalizuar flukset e parave korruptive dhe fondet publike përmes të paktën gjashtë organizatave jofitimprurëse: Harabel, Eventus, Balkan Youth Link Albania (BYL-A), Muza, Bash-Art dhe Frobolous.

Sipas hetimeve, Xoxa u ka faturuar këtyre organizatave punë dhe shërbime nga gjashtë sipërmarrje: Partners Law, AVA Studio, NAN Gallery, Arts Lab, Eris Consulting dhe Gogel.

Po ashtu, shërbime u janë ofruar edhe përmes nipteve fizike personale dhe të të paktën dy punonjëseve të saj.

SPAK thotë se në periudhën 2018-2024, qendra e artit Harabel, e themeluar dhe kontrolluar nga Xoxa, ka arkëtuar rreth 420,000 euro.

Xoxa pretendon se këto fonde janë përdorur për organizimin e mbi 100 aktiviteteve me pjesëmarrjen e 625 artistëve, duke mohuar marrjen e fondeve nga Bashkia e Tiranës.

Ajo gjithashtu pohon se për aktivitetet e mbështetura nga Ministria e Turizmit dhe Ministria e Kulturës nuk është paguar.

Në një reagim në Facebook, Xoxa deklaroi se gjatë shtatë viteve “është paguar vetëm 17,442 euro nga tre projektet e Harabelit”. Megjithatë, hetimet e SPAK tregojnë një tjetër anë të çështjes, pasi organizata të tjera të lidhura me Xoxën dyshohet se kanë marrë fonde nga Bashkia e Tiranës, dhe ajo ka përfituar përmes sipërmarrjeve të lidhura me to.

Sipas librave të shitjeve dhe dyshimeve të SPAK, Xoxa kontrollonte AVA Studio (në pronësi të së ëmës), Arts Lab (në pronësi të dajës) dhe NAN Gallery (në pronësi të Harabelit), duke përfituar mbi 100,000 euro shërbime nga organizata e saj e artit. Nga këto, rreth 38,000 euro janë faturuar drejtpërdrejt në niptin e saj fizik dhe studios ligjore.

Një pjesë e pagesave direkte (23,000 euro) Xoxa i ka justifikuar përmes një kontrate qiraje për apartamentin e saj në ish-Bllok, të cilin e kishte vënë në dispozicion të qendrës Harabel.

Megjithatë, SPAK dyshon se kjo kontratë ishte fiktive dhe synonte fryrjen e shpenzimeve për të nxjerrë para nga qendra, pasi në realitet Harabeli kishte selinë në ambientet e studios së saj ligjore “Partners Law,” në katin e 10-të të “Sky Tower.”

Kjo adresë është deklaruar edhe si seli për organizatat e tjera të lidhura me Xoxën: Eventus (drejtohej nga gruaja e dajës), Muza (drejtohej nga kushërinjtë) dhe BYL-A (organizohej nga financierja e Xoxës). Dokumente të këtyre organizatave u gjetën gjatë kontrollit të zyrave të Xoxës në dhjetor 2024.

Së bashku me Froboulous (e lidhur me një punonjëse të Xoxës), këto organizata kanë përfituar 280,000 euro fonde publike: 190,000 euro nga Bashkia e Tiranës dhe 90,000 euro nga Ministria e Turizmit dhe Ministria e Kulturës.

Dëshmitarë i kanë thënë SPAK-ut se projektet shpesh realizoheshin me pagesa dhe punonjës fiktivë, ndërsa paratë i ktheheshin Xoxës dorazi ose si pagesa faturash apo sponsorizime.

SPAK ka identifikuar raste faturimi të dyshimta për shërbime konsulence, ku Xoxa udhëzonte stafin për kohën dhe shumat që duheshin faturuar. Qarkullimi i faturave është i dukshëm në librat e shitjeve, ku sipërmarrës dhe organizata kalojnë mes tyre pagesa, të cilat SPAK dyshon se janë kryer për të fshehur burimin dhe tërheqjet e parave nga Xoxa.

Në periudhën 2018-2024, zyra ligjore e Xoxës, “Partners Law,” ka deklaruar rreth 950,000 euro të ardhura nga shitja e shërbimeve, me klientë kryesorë:

36% Skerdilajd Faria (Sombrero);
28% Elman Abule (Rametal, Sapienta, Ventus);
11% Arbër Veliaj (Gogel);
9% Gentian Sula (AgiKons), etj.

Organizata BYL-A ka raportuar rreth 300,000 euro shitje, ku klientët kryesorë ishin:

21% Fatmir Bektashi (Kontakt);
17% Bashkia Tiranë;
13% Kongresi Rinor Kombëtar (OJF);
12% Samir Mane (Qendra Tregtare Univers);
7% Meriman Palushi (Palushi shpk);
7% Arbër Veliaj (Gogel), etj.

Organizata Eventus ka raportuar rreth 170,000 euro shitje, me klientët kryesorë:

62% Bashkia Tiranë;
19% Meriman Palushi (Palushi shpk);
13% Banka Amerikane e Investimeve (Abi Bank),
5% Ministria Kulturës etj.

Kompania Arts Lab, e drejtuar nga daja i Xoxës, ka raportuar rreth 240,000 euro shitje, me klientët kryesorë:

21% Elman Abule (Rametal);
18% BYL-A (OJF);
13% Harabel (OJF);
11% Eventus (OJF), etj.

Kompania AVA Studio ka deklaruar rreth 440,000 euro shitje, ku klientët kryesorë ishin:

17% Arbër Veliaj (Gogel);
11% Elman Abule (Rametal, Sapienta);
8% Harabel (OJF);
8% Eventus (OJF), etj.

SPAK po vijon hetimet për të zbuluar nëse fondet publike janë përdorur në mënyrë abuzive dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë teksa paralelisht po gjurmohen të gjitha transaksionet.

Nga 6 sipërmarrësit e përfshirë në çështje, SPAK ka vendosur ta arrestojë njërin prej tyre. Pesë të tjerët janë vënë nën masë detyrim paraqitje. Ata dyshohen se përfituan tenderë dhe leje ndërtimi përmes korrupsionit.

Prokuroria e Posaçme pretendon se ata xhiruan para në favor të Veliajt përmes: konsulencave fiktive me studion ligjore të Xoxës ose sponsorizimet e fshehta të aktiviteteve artistike të lidhura me të.

Në hetimet paraprake përmenden edhe sipërmarrës të tjerë, si Samir Mane (Mane Foundation), Mirton Lika e Vladimir Kosta (Lani shpk), Vladimir Avrami (Salus Konstruksion, Ventus) dhe Skerdilajd Faria (Sombrero), ky i fundit rezulton të ketë paguar rreth 375,000 euro shërbime drejt kompanive të Xoxës.

Prandaj nuk përjashtohet që në të ardhmen numri i të dyshuarve të shtohet.

Lexo më shumë  Kurti takon të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA, flasin për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve

Sipërmarrësit dhe kompanitë e përfshira 

Më 3 dhjetor 2016, Kryebashkiaku Erion Veliaj udhëton së bashku me punonjës të bashkisë për një darkë të rëndësishme në Roterdam (Holandë) me përfaqësues të “Office for Metropolitan Architecture” (OMA) një zyrë kult e arkitekturës ndërkombëtare.

Udhëtimi, akomodimi dhe darka u financuan nga sipërmarrësi Fatmir Bektashi përmes kompanisë “Kontakt shpk,” e cila priste miratimin e lejes për kompleksin e pallateve “Mangalem 21.”

Bektashi bleu bileta çift për Veliajn dhe rezervoi një “suitë dopio ekskluzive” në Hotel Mariot për një total 3,374 euro. Por Veliaj nuk u shoqërua nga bashkëshortja në këtë udhëtim.

Bektashi deklaroi për SPAK se darka u zhvillua me qëllimin që Veliaj të shikonte nga afër projektin.

Në dhjetor 2018, Veliaj miraton zyrtarisht lejen për ndërtimin e “Mangalem 21” pa deklaruar udhëtimin në Holandë në ILDKPI.

Po atë vit (2018), dy zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë do të udhëtonin jashtë me portofolin e një tjetër biznesmeni.

Shkëlqim Fusha pagoi 1,816 euro për akomodimin e Arbjan Maznikut dhe Ditjon Baboçit, në një hotel në Barcelonë gjatë një ceremonie çmimesh për “Sheshin Skënderbej.” Prokuroria e Tiranës e shqyrtoi rastin për konflikt interesi, por çështja u pushua në dhjetor 2019.

Lidhjet e Veliaj me “Kontakt shpk” të Bekteshit nuk u kufizuan vetëm me udhëtimin në Holandë.

“Kontakt shpk” sponsorizoi për dy vite radhazi festivalin “International Contemporary Dance” (2022-2023), të organizuar “Balkan Youth Link Albania” (BYL-A), e cila “de facto” kontrollohej nga Xoxa.

SPAK dyshon se bujaria e Bektashit me rreth 65,000 euro sponsorizime ka pasur qëllime korruptive.

Prej darkës së Rotterdamit e deri në fund të vitit 2023 “Kontakt shpk” ka përfituar nga Veliaj 7 leje ndërtimi për komplekse pallatesh deri në 11 kate në Tiranë.

Ngjashëm dyshohet se kanë vepruar edhe pesë sipërmarrës të tjerë: Elman Abule, Sokol Kryeziu, Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha, të gjithë nën hetim nga SPAK.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, këta sipërmarrës përfituan tenderë dhe leje ndërtimi nga bashkia duke xhiruar para përmes studios ligjore, organizatave, aktiviteteve dhe veprave artistike të Xoxës.

Elman Abule (Rametal, Fidalba) pagoi 270,000 euro konsulenca ligjore dhe shërbime vizuale në studion e Xoxës dhe të ëmës së saj. Ai përfitoi leje ndërtimi për pallat në një lulishte në Kombinat, e kontestuar nga banorët e prekur nga tërmeti i 2019.

Sokol Kryeziu (Gerard-A shpk) me një histori të paqëndrueshme profesionale (fshesar, fatorino, punonjës ngarkim-shkarkimi), bleu kompaninë në 2021 për 330,000 euro, të cilat do t’i shlyente me këste. Më vonë mori dhe kompaninë e transporteve “City Trans-A” dhe ia shiti “CFO-Pharmës” për 1.9 milionë euro. Gjatë kësaj kohe kultivoi shije për veprat e artit, veçanërisht ato të menaxhuara nga “NAN Gallery” e kontrolluar nga Xoxa përmes “Harabel”. Galeria NAN ka deklaruar 98,000 euro shitje veprash arti, ku 50,000 euro nga Sokol Kryeziu i kompanisë “Gerard-A shpk,” e cila prej nëntorit 2021 ka fituar 10 tenderë me vlerë totale 2 milionë euro nga Bashkia Tiranë.

Gentian Sula (AgiKons shpk) pranon se i ka lëshuar vilën Nr.4 në Qerret familjes Xoxa pavarësisht se prej vitit 2017 ata nuk kanë shlyer 30,000 euro detyrime ndaj tij. Në periudhën 2018-2024 ai pagoi 80,000 euro shërbime në zyrën ligjore të Xoxës, teksa i dha në përdorim pa pagesë Vilën Nr.33 në ish-Bllok qendrës “NAN Gallery” dhe sponsorizoi qendrën “Harabel” me 25,000 euro. Kompania e tij përfitoi zgjerimin e kompleksit te “Kodra e Diellit,” leje për të paktën tre pallate dhe 11 tenderë me vlerë 33 milionë euro nga Bashkia Tiranë, që përfshijnë edhe shkolla, projekte nga fondi i rindërtimit dhe ai për Teatrin Kombëtar. Bashkëshortja e Sulës, Gentiana Mara-Sula, ishte zëvendësministre kur Veliaj drejtoi Ministrinë e Mirëqenies Sociale (2013-2015).

Shkëlqim Fusha (Fusha shpk) transferi 27,000 euro tek një punonjëse e Xoxës si “pagesë për konsulencë juridike,” por SPAK zbuloi se një pjesë e konsiderueshme iu kalua si sponsorizim qendrës “Harabel.” Në të njëjtën periudhë, Fusha përfitoi një leje ndërtimi në Farkë teksa Bashkia Tiranë i lëshoi truall publik në qendër për ndërtimin e një kulle 33-katëshe. Prej vitit 2015 Fusha ka fituar 70 tenderë të Bashkisë Tiranë me vlerë totale rreth 100 milionë euro dhe në vetëm 10 prej tyre ka qenë në bashkëpunim me kompani të tjera.

Meriman Palushi (Palushi shpk) sponsorizoi 50,000 euro për OJF-të e lidhura me Xoxën, ndërkohë që përfitoi leje ndërtimi nga Veliaj.

Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK po shqyrton një skemë më të gjerë të marrëdhënieve mes biznesmenëve të ndërtimit dhe bashkisë së Tiranës përmes sponsorizimeve të fshehura dhe lejeve të ndërtimit.

Çështja ndaj kryebashkiakut Veliaj tërhoqi vëmendjen publike edhe për shpenzimet e majme, të cilat SPAK dyshon se kreu bashkëshortja e tij në dhjetë vite.

Xoxa ka mohuar shifrat e deklaruara, por hetimet kanë nxjerrë në pah manovrat e saj për të fshehur porositë.

Ku shkuan paratë, shpenzimet e shfrenuara online të Xoxës

SPAK dyshon se për një periudhë 6-vjeçare Xoxa shpenzoi rreth 860,000 euro për blerje online, të cilat ajo dyshohet se i ka fshehur duke përdorur persona të afërt apo dhe punonjës të saj.

Prej vitit 2015 deri në vitin 2021 Xoxa dushohet se përdori të dhënat e kompanisë së të ëmës AVA Studio, gjithashtu kredencialet e saj dhe të një punonjësi për të fshehur dhjetëra mijëra euro blerje online për veshje dhe produkte kozmetike.

“Totali i blerjeve të mija online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. […] është për 10 vite: 75,025 euro në total,” theksoi në një reagim Xoxa.

Por SPAK pretendon se Xoxa shqyrtonte kryesisht tre platforma online dhe me emrin personal ka kryer 32 porosi me një vlerë rreth 25,000 euro.

Dëshmitarë i thanë SPAK-ut se për porositë ajo përdorte edhe një llogari të rreme nën identitetin Adela Marku, email-i i së cilës është i shfaqur edhe në web-site-in e zyrës ligjore. Ndërkohë për zhdoganimet dhe tërheqjen e porosive përdoreshin edhe kredencialet e së ëmës apo dhe punonjësve të saj.

Kështu në llogari të njërit prej tyre SPAK ka zbuluar rreth 550,000 euro blerje nga 130 porosi, por që nga email-i i përdorur dhe kontakti i lënë çojnë në përfundimin se ato ishin porosi të Xoxës.

Dyshimi shtohet për faktin se ish-punonjësi në fjalë rezulton pa mundësi financiare për shpenzime të tilla dhe nuk kishte dijeni për veprimet që bëheshin në emër të tij.

SPAK thotë se pjesa tjetër e blerjeve online, rreth 250 mijë euro dyshohet se u kryen nga Xoxa përmes kompanisë së të ëmës AVA Studio.

Dëshmi të siguruara nga SPAK shtojnë dyshimet se pas këtyre blerjeve qëndronte Xoxa pasi shumica e transaksioneve i kalonin financieres së saj.

Çështja Veliaj-Xoxa vijon të jetë në fazën e hetimeve nga SPAK. Sipërmarrës dhe persona në dijeni janë thirrur dhe priten të thirren për të dëshmuar versionet e tyre të fakteve.

Por ajo që mund të thuhet është se hetimet për kryebashkiakun kanë ngritur një debat të madh publik dhe politik, mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike apo shpenzimet e luksit të politikanëve.

Mbi të gjitha, ka nxjerrë zbuluar qëndrimin e shumicës socialiste në pushtet, e cila tanimë nuk i kursen trysnitë dhe presionet përballë hetimeve për një politikan të afërt me Kryeministrin./ Citizens.al

Rruga Press

YouTube player