Zhduken ushtarët nga Koreja e Veriut, nuk janë parë në front në tre javët e fundit
Forcat ukrainase për operacione të veçanta nuk kanë vërejtur praninë e ushtarëve të Koresë së Veriut në rajonin e Kurskut gjatë tre javëve të fundit, duke sugjeruar se ata janë tërhequr pas humbjeve të mëdha, deklaroi një zëdhënës i ushtrisë ukrainase të premten.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës ukrainase dhe perëndimore, rreth 11 mijë ushtarë të Koresë së Veriut, aleate e Rusisë, janë dislokuar më parë në Kursk për të mbështetur forcat ruse. Megjithatë, Moska nuk ka konfirmuar dhe as mohuar zyrtarisht praninë e tyre në këtë rajon.
“Forcat për operacione të veçanta flasin vetëm për zonat ku janë të dislokuara dhe, në bazë të kësaj, ju njoftojmë se prania e trupave të Koresë së Veriut nuk është vërejtur të paktën për tre javë”, deklaroi Koloneli Oleksandr Kindratenko, zëdhënës i këtyre njësive.
Ai shtoi se forcat speciale ukrainase supozojnë që trupat koreano-veriore janë tërhequr për shkak të humbjeve të mëdha në betejë.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i ushtrisë ukrainase për rajonin e Kurskut nuk pranoi të komentonte publikisht situatën. Mbetet e paqartë se në cilat pjesë të rajonit mund të jenë ende të pranishme trupat speciale ukrainase.
Ukraina nisi një ofensivë në rajonin e Kurskut në gusht të vitit të kaluar, me qëllim shpërqendrimin e forcave ruse dhe krijimin e një avantazhi strategjik. Megjithëse Rusia ka arritur të zmbrapsë pjesërisht forcat ukrainase, nuk ka arritur ende t’i largojë ato plotësisht nga rajoni.
Njësitet e rregullta ushtarake të Koresë së Veriut u përfshinë në luftë në muajin tetor, sipas autoriteteve ukrainase dhe aleatëve perëndimorë, të cilët raportojnë se ato u dërguan në rajonin e Kurskut për të mbështetur ofensivën ruse.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi më 11 janar se dy ushtarë të Koresë së Veriut janë kapur të gjallë nga forcat speciale ukrainase në fushëbetejë.
Rruga Press