Lajme

Amoniak dhe mbetje fekale në ujë! Vlorë, shtohen rastet me të vjella e diarre – 90 pacientë përgjatë një jave

Vijon alarmi për ndotjen e ujit të pijshëm në Vlorë. Rreth 90 qytetarë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Vlorës, me simptoma diarreje, të vjellash dhe helmimi. Rastet janë raportuar kryesisht në lagjet “28 nëntori” dhe “29 nëntori”, pas rikthimit të furnizimit me ujë, pas një ndërhyrjeje në rrjetin e ujësjellësit. Analizat laboratorike më herët kanë evidentuar prani të ndotjes fekale, përfshirë bakterin E. coli, si dhe mungesë klori në disa mostra. Ndërkohë, shkaku i saktë i rasteve shëndetësore dhe lidhja e tyre me cilësinë e ujit mbeten ende në verifikim.

Shtohen rastet e qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës. Përgjatë javës janë paraqitur në spital rreth 90 raste, kryesisht mosha të reja, me simptoma helmimi, diarre dhe të vjella. Rastet janë konstatuar kryesisht në lagjet “28 Nëntori” dhe “29 Nëntori”, ku banorë të këtyre zonave janë paraqitur në spital për të marrë trajtim mjekësor. Pas marrjes së serumit dhe ndihmës mjekësore, pacientët janë larguar drejt banesave, pa u shtruar në spital.

Lexo më shumë  Pastrim parash dhe korrupsion - SPAK regjistron akuza të reja për ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni

Dyshimet përqendrohen te cilësia e ujit të pijshëm, pasi problematika është shfaqur pas një ndërhyrjeje riparimi në rrjetin e ujësjellësit dhe rikthimit të furnizimit me ujë në këto zona. Pamjet nga uji i ndotur tregojnë kushte shqetësuese higjieno-sanitare, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e ujit që qarkullon në banesat e qytetarëve. Analizat e një dite më parë kanë evidentuar tregues të ndotjes fekale, përfshirë praninë e bakterit Escherichia Coli, ndërsa nga analizat e kryera së fundmi në mostrat e ujit, në dy prej tyre raportohet se është konstatuar mungesë e klorit, ndërsa në disa mostra të tjera parametrat kanë rezultuar brenda normave.

Lexo më shumë  SPAK kërkon dy vite burg për Benet Becin, akuzohet për favorizim në tender kur drejtonte KESH

Pas evidentimit të situatës, Ujësjellësi ka ndërhyrë në zonat e prekura. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse problemet shëndetësore të qytetarëve kanë lidhje të drejtpërdrejtë me cilësinë e ujit të pijshëm. Shkaku mbetet ende nën verifikim.

Rruga Press

YouTube player