Në fjalimin e fundit si president Biden thotë se tani oligarkia “do të marri formë” në SHBA
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mbajtur një fjalim lamtumirës para kombit të mërkurën mbrëma, vetëm katër ditë përpara se të largohet nga Shtëpia e Bardhë.
Duke folur nga Zyra Ovale, Bideni ka thënë se administrata e tij ka nisur një epokë të re të mundësive amerikane.
“Ne kemi nisur një epokë të re të mundësive amerikane”, ka thënë Biden.
Bideni ka thënë po ashtu se do te duhet kohë për të ndjerë ndikimin e plotë të gjithçkaje që është bërë nën mandatin e tij.
“Do të duhet kohë për të ndjerë ndikimin e plotë të gjithçkaje që kemi bërë së bashku. Por farat mbillen dhe do të rriten dhe do të lulëzojnë për dekadat e ardhshme”, ka shtuar ai.
Ai po ashtu e ka shfrytëzuar fjalimin për të paralajmëruar për një “oligarki” të të pasurve “ultra të pasur” që po zënë rrënjë në vend dhe për një “kompleks teknologjio-industrial” që po cenon të drejtat e amerikanëve dhe të ardhmen e demokracisë.
Fjalimi i tij vjen pak orë pasi ai njoftoi për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, e cila do t’i japë fund më shumë se një viti gjakderdhjeje në Lindjen e Mesme.
Bideni ka thënë se rruga drejt kësaj marrëveshjeje nuk ka qenë e lehtë, duke e quajtur atë një nga negociatat më të vështira që ka përjetuar.
VIDEO:
Rruga Press