Iu refuzua kërkesa për vizitë në Preshevë, reagon Çeku: Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e ka quajtur lojë të ndytë vendimin e autoriteteve serbe që t’ia refuzonin vizitën në Luginë të Preshevës.
Ministi ka theksuar se qëllimi i vizitës së tij në Preshevë ishte takimi me kryetaren e Komunës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës. Ministri Çeku është shprehur se Serbia shkeli afatin 48-orësh për t’iu përgjigjur kërkesës për vizitë, e sipas tij, kjo është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit.
“Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë. Përkundër që kemi ndjekur dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për tu pajisur me leje që të zhvillojmë një vizitë në Luginën e Preshevës, kjo na u mohua nga institucionet e Serbisë. Qeveria e Serbisë refuzoi hyrjen në Serbi vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar ai në Facebook.
Çeku ka theksuar se Serbia po vazhdon ta dëshmojë se s’është e interesuar për raporte normale fqinjësore.
“Qëllim i vizitës sonë ishte takimi me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës, takim me organizata rinore dhe kulturore. Përkundër kësaj, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim e të jemi pranë qytetarëve të Preshevës, teksa Serbia vazhdon ta dëshmoj e ridëshmoj se nuk është e interesuar për marrëdhënie normale fqinjësore”, ka thënë ai.
Rruga Press