KryesoreLajme

Iu refuzua kërkesa për vizitë në Preshevë, reagon Çeku: Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e ka quajtur lojë të ndytë vendimin e autoriteteve serbe që t’ia refuzonin vizitën në Luginë të Preshevës.

Ministi ka theksuar se qëllimi i vizitës së tij në Preshevë ishte takimi me kryetaren e Komunës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës. Ministri Çeku është shprehur se Serbia shkeli afatin 48-orësh për t’iu përgjigjur kërkesës për vizitë, e sipas tij, kjo është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit.

“Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë. Përkundër që kemi ndjekur dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për tu pajisur me leje që të zhvillojmë një vizitë në Luginën e Preshevës, kjo na u mohua nga institucionet e Serbisë. Qeveria e Serbisë refuzoi hyrjen në Serbi vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar ai në Facebook.

Lexo më shumë  Parlamenti Evropian miraton raportin për Kosovën: Mbështetje aplikimit për anëtarësim në BE, thirrje për shtetet mosnjohëse që ta njohin Kosovën, mbështetje bashkëpunimit në mbrojtje mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë

Çeku ka theksuar se Serbia po vazhdon ta dëshmojë se s’është e interesuar për raporte normale fqinjësore.

“Qëllim i vizitës sonë ishte takimi me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës, takim me organizata rinore dhe kulturore. Përkundër kësaj, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim e të jemi pranë qytetarëve të Preshevës, teksa Serbia vazhdon ta dëshmoj e ridëshmoj se nuk është e interesuar për marrëdhënie normale fqinjësore”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Gërvalla viziton Akademinë e Kosovës për Siguri Publike: Siguria kërkon profesionistë të përgatitur
YouTube player