KryesoreLajme

Intervista e 1999-s e kryeministrit të ri francez: “Intervenimi i NATO-s në Kosovë, vendim i duhur”

François Bayrou është emëruar kryeministër i ri i Francës. 73-vjeçari konsiderohet aleat i presidentit Emmanuel Macron, që kur ai erdhi në pushtet më 2017. E Bayrou ka të kaluar të gjatë në politikën franceze. Në kohën kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë më 1999, Bayrou ka qenë opozitar. Atë kohë e kishte mbështetur udhëheqësinë franceze për ndërhyrjen në Kosovë. 

Në një intervistë të “RTL” më 7 prill të 1999-s e kishte quajtur “lëvizje të mençur” nisjen e bombardimeve.

“Nuk kishte armëpushim (nga Millosheviqi). Për momentin, është lëvizje e mençur. Besoj se presidenti dhe qeveria kishin të drejtë kur thanë se ky armëpushim duhet të përcillet me kushte të caktuara, sidomos me ato që lidhen për sigurinë e refugjatëve që të kthehen menjëherë nëpër shtëpi. Dhe më pas, po ashtu, që të organizohej jetë e përbashkët e shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, pasi të dyja komunitetet do të duhet të jetojnë bashkë, sapo të arrihet një marrëveshje. Dera nuk është mbyllur plotësisht. Është e thjeshtë – kushtet duhet të përmbushen. Në çfarëdo rasti, është shenjë që Millosheviqi, me të gjithë arrogancën e tij e gjen veten të detyruar nga goditjet që të reflektojë. Nuk është tani koha që të ndalet aksioni”, kishte deklaruar ai.

Lexo më shumë  Irani lëshon raketa balistike në bazën ushtarake britanike-amerikane, në Diego Garcia

Bayrou po ashtu kishte thënë se për bombardimet e NATO-s do të flitet gjatë nga historianët.

“Për dhjetë vjet, Millosheviqi ka shkaktuar 200 mijë vdekje. Historia e shekullit të 20-të na ka mësuar që secilën herë që bëhemi kinse nuk shohim diçka, ajo përfundon keq, sot apo nesër. Andaj kemi të drejtë që kemi reaguar. Është çështje tjetër se a mund të kenë qenë procedurat ndryshe”, ishte shprehur më tej Bayrou, që atë kohë ka udhëhequr partinë Unioni për Demokracinë Franceze (UDF).

Lexo më shumë  SHBA do të dërgojë mijëra trupa shtesë në Lindjen e Mesme

Ai e kishte cilësuar veprimin e NATO-s si ndërhyrje që të respektohen të drejtat e njeriut. 

Kjo intervistë u gjet në “vie-publique.fr”, që është uebfaqe franceze e që menaxhohet nga një autoritet nën zyrën e kryeministrit francez, me mision për informimin, dokumentimin dhe arkivimin e vendimeve dhe intervistave të zyrtarëve francezë./Koha.net

Rruga Press

YouTube player