Lajme

Kryministri Kurti kërkon në ShBA presion ndaj Serbisë: Radoiçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është momenti i fundit që Milan Radoiçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë të Kosovës.

Kurti këtë e ka thënë gjatë takimit në Chicago me senatorin amerikan Chris Murphy, në margjinat e Koventës Kombëtare Demokratike.

Radoiçiq kishte pranuar se qëndronte prapa sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Kurti ka kërkuar nga ShBA-ja t’i bëjë presion Beogradit.

“Tash kur po bëhen 11 muaj nga vrasja e rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë kryeministri Kurti kërkoi që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, thuhet nga Kryeministria.

Në njoftimin e Kryeministrisë është thënë se ndër temat ka qenë çështja e dialogut me Serbinë. Kurti ka kërkuar që të zbatohet e plotë Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i dakorduar në Ohër.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Kurti ka thënë se Serbia duhet të nënshkruajë marrëveshjen si dëshmi e garanci se do ta zbatojë atë.

“Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit. Ai shtoi se për t’u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes. Kryeministri Kurti nënvizoi se Serbia duhet të tërheqë letrën e dërguar drejt Bashkimit Evropian nga ana e ish-kryeministres Brnabiq dhjetorin e vitit të kaluar, përmes së cilës shprehet refuzimi dhe tërheqja nga marrëveshja nga ana e Serbisë. Serbia duhet të kthehet te marrëveshja dhe ta respektojë atë në mënyrë që e njëjta të zbatohet. Nuk ka zbatim të marrëveshjes sepse para së gjithash nuk po ka respektim të saj”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Po ashtu, vetë kreministri Kurti u shpreh edhe për pjesëmarrjen e tij në panelin “Konventa Kombëtare Demokratike dhe Roli i Partive Politike”, që po organizohet nga NDI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ndërkohë, para pjesëmarrjes në diskutimin e organizuar nga NDI me titull ‘Konventa Kombëtare Demokratike dhe Roli i Partive Politike’, bashkëbisedova dhe me Kryetarin e Komitetit Kombëtar Demokrat, Jaime Harrison, në prani dhe të Presidentes së NDI, Tamara Wittes dhe Kryetarit të Bordit Drejtues të NDI, Tom Daschle. Në panel ishim bashkë me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson dhe Ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen”, u shpreh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Rruga Press

YouTube player