Lajme

Kulmi i sezonit/ Mbi Vlorën turistike, tymnajë gjigande e flakës së plehrave

Tymnaja gjigande e blozës mbi Vlorë nisi nga flakët e fushës së vjetër të plehrave në lagjen “24 Maji” dhe këtë të premte të 26 korrikut, në kulmin e sezonit turistik qëndron si re ngjyrë gri, e palëvizur mbi kokat e turistëve.

Malet me plehra në fushën e vjetër rriten me shpejtësi të papërballueshme gjatë ditëve kur qyteti është i mbipopulluar nga turistët dhe djegia e tyre është një “zgjidhje” që ndihmon si bashkinë, që nuk ka kapacitete përpunimi. Megjithatë një variant tjetër është ai që gazi metan që gjendet mes maleve me plehra bëhet shkak për nisjen e zjarreve.

Por shtëllunga e tymit që endet mbi qytet, vjen pikë së pari si njollë për imazhin e Vlorës destinacion turistik. Pamjet që po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale janë shokuese. Video më poshtë tregon se si qyteti është zhytur në një re të madhe tymi që ka arritur deri në det.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Për këtë kartvizitë të shëmtuar për turistët nuk ka folur askush nga autoritetet lokale apo ato në qeveri. Për gazetarët është shpërndarë një mesazh në ëhatsapp që njofton se “në fushën e vjetër ka shkuar një mjet tip “Stalinesk” me zinxhir si dhe 2 mjete vetëshkarkuese nga Ministri e Mbrojtjes. Një mjet tjetër me zinxhir është rrugës duke ardhur”.

Ndërkohë nga opozita ka reaguar menjëherë kreu i PD-së, Sali Berisha. “Ky ishte mëngjesi turistik, tym e blozë i Vlorës! Krim i rëndë mjedisor i bashkisë socialiste!” shkruajti Berisha.

Plehrat depozitohen në fushën e vjetër prej 30 vitesh dhe aty mendohet se janë rreth 400 mijë ton mbetje.

Investimet për një landfill tjetër, atë të Sherishtës janë bërë dhe ky duhej të ishte gati që në qershor 2021, por afati për vënien e tij në punë është shtyrë disa herë. Nga projekti e 20.8 milion euro, që u hodhën për landfillin e ri ishte përfitues edhe Klodian Zoto me kompaninë e tij Integrated Technology Services.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Kompania u sekuestria nga SPAK për skandalin me inceneratorët ndërsa një pjesë e punimeve nuk janë përfunduar dhe kalimi i tij nën kontrollin e Bashkisë së Vlorës ka ngecur duke e bërë të pamundur transferimin e mbetjeve atje.

Lexo edhe: Deliri i Ramës me vlonjatët/ “Do bien në gropën e gjoksit të tyre”

Klodian Zoto është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit, i akuzuar për pastrim parash dhe korrupsion dhe është pjesë e skandalit që preku nivelet më të larta të qeverisë.

Disa ditë më parë, kur fliste me pakënaqësi për shifrat zhgënjyese të turizmit, kryeministri Rama u shpreh se faji ishte i vlonjatëve dhe i gjoksit “me gropë” që kishte rritur çmimet në mënyrë palogjikshme. Por reja e zezë e tymit që endet mbi Vlorë këtë të premte tregon se babëzia dhe paaftësia në qeverisje është një faktor kyç në dështimin e sezonit turistik.

Rruga Press

YouTube player