VOA: Rama i la në dorë të Beqajt fondet e BE pavarësisht dyshimeve për korrupsion
Në Shqipëri, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pjesë e kabinetit qeveritar në mandatin e parë të kryeministrit Edi Rama, u arrestua sot nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte që prej vitit 2021, si dhe për fshehje të pasurisë.
Përveç tij, mësohet se Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, ka lëshuar urdhëra arresti me burg dhe për dy persona të tjerë, Ermal Kurtullën, një bashkëpunëtor i ngushtë i zotit Beqaj, dhe Alfred Nikollën, drejtues i një kompanie private që merrej me organizimin e eventeve.
Për katër persona të tjerë, të gjithë me aktivitet privat është vendosur masa arrest shtëpie (Gazmend Haxhia dhe Elton Marini) apo detyrim paraqitje (Bledar Leka dhe Bjona Zijaj). Për të gjithë emrat e përfshirë në këtë hetim, janë ngritur një seri akuzash, nga korrupsion, te fshehje të pasurisë, mashtrim apo dhe shkelje të barazisë në tendera.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, zoti Beqaj “në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me Ermal Kurtullajn, i emëruar nga vetë ai në qershor të vitit 2022, si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregulloret.”
Prokuroria e Posaçme, bën të ditur se “të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese”.
I gjithë dokumentacioni për garat e shpallura, është firmosur sipas prokurorëve, nga vetë zoti Beqaj.
Po sipas Prokurorisë, ish-ministri “dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “Gzona” në zonën e Kalasë në Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15 përqind në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë zoti Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet që zoti Beqaj “të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet Ermal Kurtullajt, i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore”.
Restoranti “Gzona”, shfaqet sipas hetimeve, si një pikë ku transferoheshin në formë pagesash për shërbime, paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga organizimi i eventeve, apo si një vend ku mbaheshin evente, të cilat nuk deklaroheshin, duke përdorur më pas emra personazh fizik apo shoqërisë, të cilat lëshonin fatura fiktive mbi shpenzimet e kryera ne këtë restorant. Ish-ministri rezulton po ashtu që të ketë fshehur dhe blerjen e një automjeti në vitin 2019, duke e vënë atë në emrin e Kurtullajt.
SASPAC, është një strukturë në varësi të kryeministrit, i cili ja besoi drejtimin zotit Beqaj, pavarësisht dyshimeve që ishin ngritur ndaj tij për proceset e koncensioneve në Shëndetësi, duke ngjallur dhe pakënaqësinë e përfaqësuesve më të rëndësishëm ndërkombëtar në vend. Në nëntor të vitit 2021, ambasadorja amerikane Yuri Kim e më pas dhe ai i Delegacionit të Bashkimit Europian Luigi Soreca, u larguan në mënyrë demonstrative, gjatë një konference, në momentin që zoti Beqaj, mori fjalën.
Në nëntor të vitit të kaluar, zoti Beqaj dha dorëheqjen nga drejtimi i SASPAC-ut, pasi ndaj tij u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i udhëtimit jashtë vendit”, në kuadër të hetimeve për rastin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Gjatë këtij hetimi, ishin arrestuar më herët ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj, i cili ishte ortak me 40 përqind të aksioneve të kompanisë që kishte fituar koncensionin.
Partneri i tij ishte shoqëria italiane Servizi Italia. Në mars të këtij viti, zotit Beqaj iu komunikua akuza për “shpërdorim detyre”. Më herët, në dhjetor të vitit të kaluar autoritetet e Drejtësisë ushtruan kontroll në banesën e zoti Beqaj, në kuadër të hetimit të ri që po kryhej për abuzimet me fondet e programit Eusair (Strategjia e Bashkimit Europian për Rajonin Adriatiko-Ionian). /Marrë nga VOA.
Rruga Press