KryesoreLajme

A po nis realizimi i “Botës Serbe” – sot mbahet “Kuvendi panserb” i Serbisë dhe Republikës Serbe

Nga lutjet për Serbinë dhe Republikën Serbe, përmes deklaratës, te folklori.

Kështu u konceptua “Kuvendi gjithëserb” me emërtimin “Një komb, një kuvend – Serbia dhe Serbe”.

Me idenë e vërtetimit të unitetit serb, kjo ngjarje e shpallur edhe si “festë e madhe”, mbahet të shtunën në Beograd.

Në të marrin pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i entitetit të Bosnje e Hercegovinës, Republikës Serbe, Millorad Dodik, si dhe zyrtarë të institucioneve më të larta të Serbisë dhe të Republikës Serbe.

Gjithashtu, pjesëmarrje paralajmëruan edhe përfaqësues të serbëve të rajonit dhe personalitete të Kishës Ortodokse Serbe.

Në Beograd po qëndrojnë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës, raporton rel.

Kuvendi po mbahet në kohën e forcimit të retorikës së autoriteteve në pushtet për “rrezikimin e popullit serb”, për shkak të miratimit në Kombet e Bashkuara të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, e cila u kundërshtua nga Beogradi dhe Banjalluka.

Serbia loboi kundër miratimit të rezolutës, sepse Beogradi zyrtar, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë dhe përdor cilësimin “krim i tmerrshëm”.

Fillimisht, kuvendi ishte paraparë të mbahej më 5 dhe 6 maj, në dy festat fetare, Pashkë dhe Shën Gjergji.

Por, Dodik kërkoi të shtyhej mbajtja, pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën. Në Srebrenicë, pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe vranë mbi 8.000 burra e djem boshnjakë, në korrik të vitit 1995.

Rezoluta, e cila shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, u miratua më 23 maj.

Çfarë dihet për deklaratën e paralajmëruar?

Një ditë para mbajtjes së Kuvendit, deklarata ishte ende duke u harmonizuar.

Beogradi theksoi se është mjaft e sigurt se ky dokument do të ketë një “bazë të fortë” në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe në Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Kështu ka paralajmëruar ministri i Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Nemanja Staroviq, në një paraqitje në transmetuesin publik serb – RTS, më 7 qershor.

Marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftës në vitin 1995 dhe Bosnje e Hercegovina u përcaktua si një shtet i dy entiteteve – Federata e Bosnje e Hercegovinës, si dhe Republika Serbe dhe distrikti Bërçko.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u tha gazetarëve, më 7 qershor, se Serbia dëshiron të tregojë “jo gjithmonë unitet pikëpamjesh, por unitet në vendosmërinë për të mos fshehur përkatësinë tonë të të njëjtit popull”.

“Sa i përket Republikës Serbe (duam të tregojmë) respekt për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, si dhe neutralitetin ushtarak dhe shumë parime të tjera të Serbisë dhe Republikës Sërpska”, shtoi ai.

Një ditë para Kuvendit gjithëserb, Qeveria e Serbisë miratoi disa protokolle dhe memorandume për bashkëpunim me Qeverinë e Republikës Serbe.

Pse nevojitej Kuvendi?

Kuvendet, si mënyrë për të marrë vendime, praktikoheshin në kohët e hershme.

Ky model i vjetër popullor-kishtar i vendimmarrjes, i cili e ka origjinën nga mesjeta, tashmë është rikthyer në skenë nga Vuçiqi dhe Dodiku.

Marko Millosavleviq nga Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë se në këtë mënyrë po rrumbullakohet koncepti i “botës serbe”.

“Qytetarëve të kombësisë serbe, si në Serbi ashtu edhe në Bosnje e Hercegovinë, u është paraqitur përkatësia etnike e tyre si identiteti më i rëndësishëm, e jo të drejtat dhe liritë e tyre civile, të cilat këtu lihen anash”, vlerësoi ai.

Ideja e një “bote serbe” u proklamua nga nënkryetari pro-rus i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, kur ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa presidenti i Serbisë, Vuçiq, mohoi se një gjë e tillë është politikë zyrtare.

Duke komentuar mbajtjen e kuvendit, Millosavleviq thotë se përmes aktiviteteve të kësaj ngjarjeje shihet roli i madh i Kishës Ortodokse serbe, por jo në mënyrën që e lejon Kushtetuta e Serbisë.

“Përkundrazi, ne po shohim një shkelje flagrante të parimit të laicitetit”, tha Millosavleviq.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Duke vënë në dukje se bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik është legjitim, ai thotë se shpallja e deklaratës shkakton “dyshim, madje edhe një lloj frike”, veçanërisht ndaj popujve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Para kuvendit, Dodik u takua me Putinin

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, më 7 qershor, pritën zyrtarët e Republikës Serbe në vendkalimin Raça e Sremit (Sremska Raça).

Millorad Dodik, president i Republikës Serbe arriti në kuvend pas një takimi tjetër me liderin rus Vladimir Putin, me të cilin foli në Shën Petersburg.

Dodik, udhëheqës pro-rus i serbëve në Bosnje e Hercegovinë, i cili është nën sanksionet amerikane dhe britanike, falënderoi Putinin që Rusia nuk votoi Rezolutën për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Putin theksoi se Rusia nuk po e ndryshon qëndrimin e saj në lidhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe tha se “Dejtoni është baza për ruajtjen e situatës në Bosnje e Hercegovinë, por edhe për zhvillimin”.

Dodik u takua me Putinin në momentin e krizës më të re politike në Bosnje e Hercegovinë, e shkaktuar nga lëvizjet e autoriteteve të entitetit të Bosnje e Hercegovinës – Republikës Serbe – pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën.

Më 30 maj, Qeveria e Republikës Serbe caktoi një grup pune me qëllim të hartimit të një propozimi për një marrëveshje mbi “ndarjen paqësore” në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në prag të kuvendit, Dodik njoftoi se do të kërkonte mbështetjen e Serbisë në lidhje me “ndarjen” e Republikës Serbe dhe Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Lidhur me këtë, Vuçiq është përgjigjur se “nuk mund” të komentojë nismën e ndarjes dhe se qëndrimi i Serbisë është respektimi i Marrëveshjes së Dejtonit.

Një përpjekje për t’u shkëputur do të ishte shkelje e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, me të cilat është përcaktuar statusi i dy entiteteve.

Rruga Press

YouTube player