Asambleja Parlamentare e NATO-s nis punimet, Kosova në rend dite
Në Sofje të Bullgarisë për tri ditë rresht do të mblidhet Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku në agjendën e saj është edhe Kosova. Delegacioni i Kosovës pret votim të suksesshëm për avancimin e statusit të saj nga vëzhgues në atë anëtar të asociuar në aleancë.
Punimet në Asamble kanë nisur të shtunën, 25 maj. Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës është i pranishëm në këtë komision, por gjatë ditës do të ketë edhe komisione të tjera ku do të prezantohen draftraporte edhe për Kosovën.
Asambleja Parlamentare i ka 274 deputetë, nga 32 vendet anëtare të NATO-s.
Për shumë vjet, Kosova e ka pasur statusin e anëtarit vëzhgues dhe avancimi i statusit është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Aleancën Veriatlantike.
Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohet delegacioni pjesëmarrës i Kosovës, do të ketë përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe Kosova mund të kontribuojë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve lidhur me dokumentet të cilat i trajton Asambleja.
Pas fushatës kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës (KiE), Serbia është duke bërë përpjekje për ta penguar avancimin e statusit të Kosovës edhe në këtë organizatë.
Në letrën që kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnbiq, i ka dërguar kryesuesit të delegacionit të Kroacisë në Asamblenë Parlamentare, Ante Baçiq, ajo ka thënë se avancimi i statusit të Kosovës do të kishte pasoja negative politike dhe të sigurisë.
Rruga Press