Bota

Ambasadorja amerikane në NATO: Ballkani Perëndimor duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Julianne Smith, u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të fokusohen në aspiratat e tyre euroatlantike dhe në vlerat e shoqërive të hapura dhe demokratike.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Smith u bëri thirrje anëtarëve të NATO-s nga Ballkani Perëndimor që të angazhohen më shumë për të arritur objektivin e aleancës, që secili anëtar të shpenzojë të paktën 2 për qind të Prodhimit të vet të Brendshëm Bruto (PBB) në mbrojtje, veçanërisht duke pasur parasysh situatën e sigurisë dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Ajo, po ashtu, i ka bërë thirrje Serbisë që të mos e thellojë bashkëpunimin me Rusinë dhe me Kinën, duke përsëritur paralajmërimin amerikan kundër tregtisë me kompanitë kineze, përderisa ka thënë se tani nuk është koha për forcimin e raporteve me Rusinë, teksa Moska ka nisur luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

“Rusia po bën çfarë po mundet për të lëshuar një lumë fushatash keqinformuese, të cilat shpesh nxjerrin të pavërteta për qëllimet e NATO-s. Ato shpesh përpiqen të pohojnë se NATO-ja është e angazhuar drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë, që gjë është absurde dhe e pavërtetë”, ka thënë Smith, duke theksuar se Rusia është agresorja që ka nisur luftën në Ukrainë.

Ambasadorja amerikane në NATO ka thënë se përparimi në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është i rëndësishëm për ecjen para të Kosovës drejt integrimit në NATO.

Smith ka thënë se SHBA-ja është e angazhuar në luftën kundër keqinformimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne bashkëpunojmë ngushtë përballë sfidës së keqinformimit, me të gjithë partnerët dhe aleatët tanë në rajon, dhe i inkurajojmë miqtë tanë të mbajnë fokusin në vlerat tona të përbashkëta, në demokracitë dhe shoqëritë shumetnike”, është shprehur ajo.
Radio Evropa e Lirë: Zonja ambasadore, të gjitha vendet anëtare të NATO-s nga Ballkani Perëndimor – Kroacia, Shqipëria, Mali e Zi, Maqedonia e Veriut – po i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes, teksa kjo përbën një çështje serioze për Shtetet e Bashkuara. A mendoni se ato po i përmbushin detyrimet financiare ndaj NATO-s?

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Julianne Smith: Secili vend anëtar i aleancës u pajtua, dhjetë vjet më parë, për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të vet të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje. Në kohën kur aleatët e bënë këtë zotim, më 2014, tre anëtarë të aleancës e përmbushnin këtë detyrim. Deri në verë, kur të mbajmë samitin e Uashingtonit, ne presim që dy e treta e aleancës ta ketë përmbushur detyrimin.

Tani, kemi një numër aleatësh në Ballkanin Perëndimor që janë pranë 2 përqindëshit. Ata kanë punuar zellshëm gjatë dekadës së fundit për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje, dhe ne i përshëndesim këto përpjekje. Këto janë vendime të vështira shtetërore, të cilat janë të zorshme kur ka kërkesa në nivelin e brendshëm për të shpenzuar para për prioritete të tjera.

Rruga Press

YouTube player