Art & KulturëKryesore

129 vite më parë lindi Haki Stërmilli, autori i romanit ‘Sikur t’isha djalë’

Sot bëhen 129 vite nga lindja e shkrimtarit Haki Stërmilli

Haki Stermilli ka lindur në Dibër më 17 maj të vitit 1895. Ai ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar në vitet 1923-’24 me dekret të Ahmet Zogut, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Në shkrimet e tij ai trajtoi tema me të drejtat e shqiptarëve të ngelur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, republikanizmit dhe të drejtave e grave.

Stërmilli ishte autor i tre romaneve, mbi 30 tregimeve të shkurtëra, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve dhe disa dyzina artikuj publicistikë. Vepra e tij më e njohur është ‘Sikur t’isha djalë’, të cilin e shkroi më 1936.

Lexo më shumë  Në Kosovë promovohet pulla postare kundër dhunës gjinore “Sot dhe çdo ditë tjetër”

Veprat tjera të tij ishin Dibranja e mjerueshme (1923), Dashuni e besnikri (1923), Agimi i lumnueshëm (1924), Burgu (1935), Sikur t’isha djalë (1936), Fyelli i Dibrës, përmbledhje që u botua në serinë “Visaret e Kombit” (1944), Trashëgimtarët tanë (1950) ndërsa pas vdekjes u botuan ditari  “Shtigjet e lirisë” (1966) dhe “Kalorësi e Skënderbeut” (1968).

Romani ‘Sikur të isha djalë’ është ndoshta i vetmi roman “më i shitur” me ribotimet periodike nëpër vite. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të gruas në veçanti.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvëndësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të shek. 21, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një lëmi të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së gruas.

Ai vdiq në Tiranë më 17 janar 1953.

YouTube player