Lajme

Verë dhe thatësirë! OSHEE bleu për korrikun 5.2 milionë euro energji në tregun e lirë

Vera ka sjellë për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) më shumë blerje energjie në tregun e parregulluar për të plotësuar nevojat për konsum.

Gjatë qershorit dhe korrikut janë hapur disa procedura të cilat parashikonin sigurimin e energjisë për muajin e shtatë të këtij viti dhe që në total kanë akumuluar një vlerë blerjeje prej 5.2 milionë euro. Kjo i përgjigjet një sasie energjie mbi 55 mijë MWh çka bën që çmimi mesatar me të cilin është siguruar kjo energji të jetë disi e lartë me rreth 96 euro/MWh.

Ky vit në ndryshim nga viti i kaluar është paraqitur disi më mirë në aspektin hidrik dhe të situatës financiare të operatorëve të sektorit. Në 2020 varësia e OSHEE-së për të plotësuar nevojat për konsum në vend ishte në një pjesë të madhe tek importet që regjistruan një vlerë mbi 120 milionë euro. Kjo e kufizoi kompaninë në kryerjen e investimeve madje një pjesë e planit u rishikua për shkak të pamundësisë së zbatimit në kushtet kur edhe pandemia e COVID-19 preku lehtë arkëtimet.

Lexo më shumë  Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje për operacione evakuimi

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike parashikon që edhe në gusht të ketë blerje nga tregu për të plotësuar nevojën për konsum dhe kjo duket qartazi edhe nga një procedurë e fundit e hapur që kërkon blerje energjie për periudhën 1-31 gusht.

OSHEE për disa muaj arriti të siguronte energji në sasi të konsiderueshme edhe nga prodhuesit me përparësi të energjisë që janë ato hidrocentrale me kapacitet deri në 15MW për të cilat kompania ka detyrimin e blerjes sipas çmimit që caktohet çdo vit nga Enti Rregullator i Energjisë dhe që ka në bazë çmimin nga bursa hungareze.

Lexo më shumë  Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit: Sulmet si ai në “Ibër-Lepenc” janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet

Një pjesë të energjisë OSHEE e siguron nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Kjo e fundit gjatë kësaj periudhe është përfshirë në një fazë optimizmi duke shitur energji në pik dhe duke blerë në jashtë orarit të pikut. Nga ana tjetër ka qene në vijim të projektit për sigurinë e digave çka në disa raste rezulton me tkurrje të prodhimit. Edhe për KESH viti 2021 po paraqitet dukshëm më mirë në prodhim po të kemi parasysh që vitin e shkuar situate hidrike detyroi edhe vetë Korporatën që të bënte blerje energjie në disa raste ndërkohë që niveli në kaskadën e Drinit ishte dukshëm i ulët.

Marrë nga Monitor

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *