Rusia thotë se Ukraina i sulmoi me dronë dhe raketa 9 rajone të saj
Autoritetet ruse thanë të martën se një rafineri dhe një depo nafte u goditën nga sulmet ukrainase me dronë dhe raketa në disa rajone ruse, ndërsa zyrtarët ukrainas thanë se Rusia e shkatërroi një ndërtesë banimi në Kupiansk.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se nëntë rajone të saj u sulmuan nga dronët ukrainas, dhe se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi raketa ukrainase në rajonin Belegorod mëngjesin e së martës.
Ministria ruse tha se 25 dronë ukrainas u “vërejtën dhe u shkatërruan”. Njëmbëdhjetë u rrëzuan mbi rajonin Kursk, shtatë mbi Belgorod, ndërsa të tjerët në Briansk, Leningard, Moskë, Oriol dhe Tula.
U raportua edhe për rrëzimin e një droni mbi qytetin Voronezh në perëndim të Rusisë.
Ukraina nuk i ka komentuar këto raportime.
Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha në Telegram se një dron ukrainas i hodhi katër mjete shpërthyese mbi rajonin e tij. Ai tha se një grua civile u plagos në Shebekin, derisa shtëpitë dhe rrugët u dëmtuan dhe se disa fshatra mbetën pa rrymë.
Pretendimet e tij nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Në rajonin Oriol, droni e goditi një ndërtesë për ruajtjen e naftës, duke shkaktuar zjarr, thanë autoritetet lokale, duke shtuar se 17 njerëz u evakuuan nga ndërtesat e larta në afërsi.
Në Nizhni Novgorod, droni e goditi një depo të naftës e cila u përfshirë nga zjarri, sipas guvernatorit të këtij rajoni, Gleb Nikitin.
Shërbimi Emergjent Shtetëror i Ukrainës, ndërkohë, tha se Rusia e hodhi një bombë në një ndërtesë banimi në qytetin Kupiansk, në lindje të rajonit Harkiv, të martën.
Bomba shkaktoi dëme të mëdha dhe zjarr, por nuk u raportua për viktima, tha ky shërbim në Telegram.
Në rajonin perëndimor të Ukrainës, Ternopil, administrata rajonale ushtarake raportoi se një dron rus e dëmtoi infrastrukturën, por nuk u raportua për viktima.
Ushtria ukrainase tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore i rrëzuan 17 nga 22 dronët e lëshuar nga Rusia.
Rruga Press