ASK gati për regjistrimin e popullsisë, përfshihet edhe diaspora
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), është e gatshme të fillojë procesin e regjistrimit të popullsisë që nisë nga data 5 prill deri më 17 maj të këtij viti.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit Ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, në konferencën me rastin e hapjes së Fushatës për Komunikim dhe Sensibilizim për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, tha se kanë mbetur vetëm 27 ditë nga fillimi i regjistrimit të popullsisë.
Sipas tij, në këtë regjistrim do të përfshihet edhe diaspora.
“E kemi zënë trenin e fundit të vitit 2024, pasi ishte dhe pandemia. Sivjet janë tri shtete në botë që do të shkojnë në regjistrim të popullsisë, Gjeorgjia, Moldova dhe Kosova. Shtetet tjera e kanë bërë dhe disa nuk e kanë bërë siç është Bosnja e Hercegovina, pasi ka sfida. ASK-ja është e gatshme që të shkojë në regjistrim të popullsisë”, ka theksuar ai.
Kastrati ka theksuar se projekti për regjistrimin e popullsisë është i bazuar në Ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe në dy rregullore. Sipas tij, pyetësori do të bëhet publik së shpejti për të gjithë qytetarët dhe do të jetë online për t’i parë pyetjet.
“ASK-ja i ka implementuar rekomandimet ndërkombëtare dhe ka një konsistencë nga regjistrimi i kaluar i vitit 2011 për shkak të krahasueshmërisë së pyetjeve. Tri objekte që do të regjistrohen: një është popullsia, ekonomitë familjare dhe të gjitha banesat, shtëpitë dhe objektet fizike që duken mbi tokë”, ka deklaruar Kastrati.
Gjithashtu Kastrati ka thënë se regjistrimi i popullsisë do të bëhet edhe për ata që jetojnë jashtë Kosovës, apo diaspora. Gjithashtu, Kastrati ka theksuar se të dhënat preliminare do të publikohen vetëm tre muaj pas kryerjes së regjistrimit.
Rruga Press