Argument

Shkëndijat që ndriçojnë hajdutërinë

Nga Erion Dasho 

Zjarri dogji urgjencën e re të QSUT-së në Tiranë, e cila nuk ka mbushur ende vitin nga koha e përurimit dhe që, si gjithçka tjetër në shëndetësinë e rilindjes u ka kushtuar shqiptarëve sa qimet e kokës.

Të gjithëve u kujtohet Borati në versionin elektoral kur deklaronte paturpësisht se “ky spital nuk kishte asnjë ndryshim nga spitalet pariziene”.

Nga ana tjetër mjekët nën zë deklaronin se përveç shumë mangësive, spitalit i mungonin deri edhe mjediset mësimore, çka përbën një domosdoshmëri për një spital universitar.

Zjarri ndërkohë tregon se spitali i ri ka probleme shumë më të mëdha, kësaj here me sigurinë për jetën e pacientëve. Dy pyetjet që duhet t’i bëjë çdokush janë:

A kanë ndonjë garanci investimet super të shtrenjta të rilindjes dhe boratëve?! Para pak kohësh ishte suvaja e një tavani të posakonstruktuar që u rrëzua duke rrezikuar seriozisht jetën e pacientëve. Sot është zjarri. Po nesër?!

A mban dikush përgjegjësi për tenderimin, projektimin dhe zbatimin e këtyre projekteve dhjetëra milionë euro?! Në Europë numërohen me gishtat e duarve firmat që janë të afta të projektojnë spitale. Cila është firma që ka projektuar dhe ndërtuar spitalin e “shkëndijës” së sotme?!

***
Shkëndija në urgjencën e QSUT-së nxori edhe njëherë zbuluar propagandën dhe mashtrimet e rilindjes me shëndetësinë.

Gjërat e fundit që u interesojnë boratëve janë shëndeti, siguria dhe jeta e shqiptarëve. Më të rëndësishmet për ta janë koncesionet, hajdutëria dhe grabitja e pareve publike.

Por shqiptarët durojnë!

Big Brother ka hyrë në një fazë shumë interesante… Këtë verë kemi kampionatin europian… Më pas nis fushata elektorale…

Lum si ne për rilindjen dhe Boratin!

Rruga Press

YouTube player