Gjeopolitikë

Izraeli e Libani po përgatiten për luftë të padëshiruar, por të pashmangshme

Perspektiva e një lufte mes Izraelit dhe milicisë së Hezbollahut të Libanit tmerron njerëzit në të dy anët e kufirit, por për shkak të luftës së vazhdueshme të Izraelit kundër Hamasit në Gaza, disa e shohin si të pashmangshme.

Një luftë e tillë mund të jetë lufta më shkatërruese që secila palë ka përjetuar ndonjëherë.

Izraeli dhe Hezbollahu kanë marrë mësime nga lufta e tyre e fundit, në vitin 2006, konflikt njëmujor që përfundoi me barazim. Gjithashtu kanë pasur katër muaj për t’u përgatitur për një luftë tjetër, edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen ta parandalojnë zgjerimin e konfliktit.

Çfarë ndodhi në vitin 2006?

Lufta e vitit 2006, gjashtë vjet pasi forcat izraelite u tërhoqën nga jugu i Libanit, shpërtheu pasi Hezbollahu kapi dy ushtarë izraelitë dhe vrau disa të tjerë në një bastisje ndërkufitare.

Izraeli nisi ofensivë të plotë ajrore dhe tokësore dhe vendosi bllokadë me synim lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e aftësive ushtarake të Hezbollahut – mision që si përfundim dështoi.

Bombardimet izraelite rrafshuan zona të Libanit jugor dhe zona jugore të Bejrutit. Hezbollahu gjuajti mijëra raketa drejt komuniteteve veriore të Izraelit.

Ky konflikt la të vrarë rreth 1,200 libanezë, kryesisht civilë dhe 160 izraelitë, kryesisht ushtarë.

Rezoluta e Kombeve të Bashkuara që i dha fund luftës bëri thirrje për tërheqjen e forcave izraelite nga Libani dhe një zonë të çmilitarizuar në anën e kufirit të Libanit.

Pavarësisht vendimit të paqeruajtësve të OKB-së, Hezbollahu vazhdon të operojë në zonën kufitare, ndërsa Libani thotë se Izraeli vazhdon të shkelë hapësirën ajrore dhe të pushtojë tokat libaneze.

Sa është e mundshme lufta?

Lufta mes Izraelit dhe Hezbollahut “do të ishte katastrofë totale”, ka paralajmëruar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gueterres muajin e kaluar, mes një stuhie diplomatike mes SHBA-së dhe Evropës.

Hezbollahu, i përkrahur nga Irani, duket i zënë në befasi nga sulmi i Hamasit, aleat regjional, që ndodhi më 7 tetor ndaj Izraelit. Që atëherë, Hazbollahu dhe Izraeli kanë kryer sulme të përditshme kufitare ndaj njëri-tjetrit dhe gjendja po eskalon gradualisht. Izraeli gjithashtu kreu vrasje të shënjestruara të anëtarëve të Hezbollahut dhe Hamasit në Liban.

Më shumë se 200 persona, kryesisht luftëtarë të Hezbollahut, por edhe civilë, janë vrarë në Liban dhe 18 persona janë vrarë në Izrael. Dhjetëra e mijëra njerëz janë zhvendosur nga të dyja anët.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë kanë paralajmëruar Hezbollahun që lufta është çdoherë më e mundshme nëse militantët nuk tërhiqen nga kufiri.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, nuk ka kërcënuar se do të nisë luftë, por ka paralajmëruar për luftë “pa kufi” nëse e bën edhe Izraeli. Hezbollahu thotë se nuk do të pajtohet për armëpushim në kufirin izraelo-libanez përpara se të ketë armëpushim në Gazë dhe ka kundërshtuar propozimin e SHBA-së për të zhvendosur forcat e saj disa kilometra nga kufiri, kanë thënë zyrtarët libanezë.

Pavarësisht retorikës, asnjëra palë nuk dëshiron luftë, ka thënë Andrea Tenenti, zëdhënës i misionit paqeruajtës së OKB-së në Libanin jugor. Megjithatë, “një llogaritje e gabuar mund të shkaktojë konflikt më të thellë, që mund të çojë në një situatë shumë të vështirë për t’u kontrolluar”, ka thënë ai.

Sa janë të përgatitur?

Si Hezbollahu ashtu edhe ushtria izraelite kanë rritur kapacitetet që nga viti 2006 – megjithatë të dy vendet janë ende të brishta.

Në Liban, katër vjetët e krizës ekonomike kanë përkeqësuar institucionet publike, ushtrinë, rrjetin elektrik dhe sistemin shëndetësor. Libani miratoi një plan emergjence për një skenar lufte në fund të tetorit të kaluar, dhe kërkoi zhvendosjen e 1 milion libanezëve për 45 ditë. Rreth 87,000 libanezë janë zhvendosur nga zona kufitare.

“Agjencia e OKB-së për refugjatët ka siguruar furnizime për strehimoret kolektive dhe ka dhënë para për rreth 400 familje në Libanin jugor”, tha zëdhënësja Lisa Abou Khaled. Por sipas saj Agjencia nuk ka fonde për të mbështetur një numër të madh të të zhvendosurve në rast lufte.

Izraeli ka evakuuar 60,000 banorë nga qytetet më afër kufirit, ku nuk ka kohë paralajmërimi për lëshimin e raketave për shkak të afërsisë së pjesëtarëve të Hezbollahut.

Izraeli po ndjen tendosje ekonomike dhe sociale nga lufta në Gaza, e cila pritet t’i kushtojë mbi 50 miliardë dollarë. Sipas Bankës së Izraelit kjo përbën rreth 10 për qind të aktivitetit ekonomik kombëtar deri në fund të vitit 2024. Kostot do të rriteshin ndjeshëm nëse do të nisë lufta me Libanin. Në luftë, nuk do të kishte kuptim më evakuimi, pasi raketat mund të prekin në të gjithë Izraelin.

“Askush nuk e dëshiron këtë luftë, e as nuk ia dëshiron dikujt”, tha Tal Beeri i Qendrës Kërkimore dhe Edukative “Alma”, institut kërkimor që fokusohet në sigurinë e Izraelit verior. Por ai tha se beson që një konflikt i armatosur midis Izraelit dhe Hezbollahut është i pashmangshëm, duke argumentuar se zgjidhjet diplomatike duken të pamundura dhe vetëm se do të lejonin rritjen e kërcënimeve strategjike nga Hezbollahu.

Çfarë do të sillte lufta?

Një luftë në shkallë të plotë ka të ngjarë të përhapet në fronte të shumta, duke eskaluar me përfshirjen e përfaqësuesve iranianë në Siri, Irak dhe Jemen – dhe ndoshta edhe në Iran.

“Hezbollahu ka 150,000 deri në 200,000 raketa të rrezeve të ndryshme,” tha Orna Mizrahi nga Instituti izraelit për Studimet e Sigurisë Kombëtare. “Ky arsenal është të paktën pesë herë më i madh se ai i Hamasit dhe shumë më i saktë”. Predhat e tyre mund të arrinin objektet e ujit, energjisë elektrike ose të komunikimit, si dhe zona të dendura me popullsi.

Në Liban, sulmet ajrore ka të ngjarë të shkaktojnë kërdi në infrastrukturë dhe potencialisht të vrasin mijëra persona. Izraeli është shumë më i mbrojtur, me disa sisteme të mbrojtjes ajrore, duke përfshirë “Kupolën e Hekurt”, e cila kap raketa me një shkallë suksesi afërsisht 90%. Por, edhe ajo mund të mbingarkohet nëse lëshohet breshëri masive raketash.

Rreth 40% e popullsisë së Izraelit jeton në shtëpi të reja me dhoma të sigurta private të fortifikuara me mbrojtje kundër shpërthimit për t’u bërë ballë sulmeve me raketa. Izraeli gjithashtu ka një rrjet strehimoresh kundër bombave, por sipas një raporti të qeverisë të vitit 2020 thotë se rreth një e treta e izraelitëve nuk ka qasje të lehtë në to.

Libani nuk ka një rrjet të tillë dhe strehimoret do të ishin pak të dobishme kundër bombave masive që Izraeli ka hedhur në Gaza.

Sipas Dina Arakji nga organizata “Control Risks” me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Hezbollahu ka mbrojtje të kufizuar ajrore, ndërsa ato të ushtrisë libaneze janë të vjetruara dhe të pamjaftueshme për shkak të mungesës së buxhetit. /Associated Press/

YouTube player