Lajme

Pakti Rama-Meloni/ Organizatat dalin kundër vendimit të Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese vendosi të hënën që protokolli ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj Italiane për ngritjen e një kampi emigrantësh në territorin shqiptar është “në pajtim me Kushtetutën” duke i hapur rrugë kështu ratifikimit të tij nga parlamenti.

Ratifikimi i protokollit nga parlamenti u pezullua me vendim të kësaj gjykate në dhjetor, vetëm disa orë para votimit në seancë plenare, pasi shumica socialiste e shqyrtoi dhe miratoi dokumentin e qeverisë brenda ditës në komisionet parlamentare, në mbledhje online dhe pa prezencën e opozitës.

Por, sipas gjykatës, masa e pezullimit bie automatikisht kur vendimi i saj përfundimtar të publikohet në Fletoren Zyrtare.

Marrëveshja për një qendër procesimi emigrantësh në Gjadër u firmos në fillim të nëntorit në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, pa transparencë dhe pa konsultim me Bashkimin Europian.

Lexo më shumë  Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave, eurodeputeti holandez: Shtetet anëtare të KiE-së iu përulen Serbisë

Sipas tekstit të marrëveshjes, pala shqiptare është angazhuar që të vendosë në dispozicion të qeverisë italiane territorin e vet për të ngritur kampe të ngjashme me burgjet si dhe të presë mijëra emigrantë nga vendet e treta për të paktën një periudhë 5-vjeçare.

Deputetët e opozitës i kërkuan kësaj gjykate anulimin e marrëveshjes si antikushtetuese dhe shkel të drejtat e njeriut.

Organizata ‘Qendresa Qytetare” e cilësoi vendimin e së hënës si jo transparent dhe një noterizim të kthimit të Shqipërisë në vend-parkim të tepricave të emigrantëve të Italisë.

Lexo më shumë  Michael Roth nuk e përmban gjuhën pas dështimit të KiE me Kosovën: M*t! Evropa do të humbasë ndikim, situata po përkeqësohet

“Precedenti në raport me eksterritorialiteti po shihet me shqetësim edhe në Itali dhe Bashkimin Evropian, teksa u shpërfillën dy hallka të rëndësishme siç janë siguria dhe ekonomia”- thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Po ashtu, organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Amnesty International, e ka cilësuar këtë marrëveshje të paligjshme dhe të pazbatueshme.

Një grup prej 29 organizatash të tjera, të fokusuara ndër të tjera te të drejtat e njeriut, iu drejtuan qeverisë shqiptare në një letër të hapur duke kërkuar tërheqjen nga kjo marrëveshje, pasi sjell shkelje të këtyre të drejtave dhe ‘burgosje të padrejtë’./BIRN

Rruga Press

YouTube player