Lajme

Lutfiu: Diskriminimi i Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë ka prekur kufijtë e racizmit

Diskriminimi i Serbisë ndaj komunitet shqiptar në Luginë të Preshevës ka prekur kufijtë e racizmit, kështu është shprehur kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu.

Ndër të tjera, Lutfiu shprehet se jeta e shqiptarëve në këto tri komuna nuk i ngjason një qytetari normal të Rajonit pasi diskriminohen nga Beogradi.

Në intervistën për kp, ai deklaron se vetëm në Bujanoc, Serbia po investon 5.3 milionë euro në shkollat serbe. Një gjë e tillë nuk po ndodh edhe në shkollat shqipe, për çka shprehet se janë në rrezik për mbyllje.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu thotë se çdo ditë e më tepër ka rënie të numrit të nxënësve në shkollat shqipe, për shkak të migrimit masiv.

“Diskriminimi i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar në Serbi i ka prekur kufijtë e racizmit. Për shkak që trendi i diskriminimit nuk është që po ndalon, por vazhdimisht po rritet. Dhe për këtë arsye jo vetëm që po vështirëson punën tonë institucionale, por jashtëzakonisht po vështirëson edhe jetën e qytetarëve shqiptarë në këtë vend. Kur them që diskriminimi ka prekur kufijtë e racizmit, unë i kisha dhënë disa fakte përmes së cilës e argumentojmë këtë pjesë. Vetëm në shkollat serbe, vetëm në Bujanoc, Serbia është duke bërë 5.3 milionë euro investime. Ndërkohë shkollat shqipe në Luginën e Preshevës janë në një gjendje të tmerrshme dhe ka zero investime në ato shkolla”, deklaron Lutfiu.

Lutfiu thotë se nuk ka integrim të plotë të shqiptarëve në institucione, por tendencë për largimin e tyre nga puna.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

“Edhe në këtë vit që po e lëmë pas procesi i pasivizimit ka qenë jashtëzakonisht aktiv. Në Medvegjë kanë arritur që të defaktorizojnë shqiptarët. Pra, edhe në zgjedhjet e fundit më 17 dhjetor, Medvegja pati edhe zgjedhje lokale, edhe pse shqiptarët e maksimalizuan votën e tyre, prapë nuk do të jenë faktor në Kuvendin Komunal në Medvegjë. Trendi i pasivizimit është duke u rritur në Bujanoc dhe po i përmendi vetëm dy rastet e fundit që janë më ekstremet që ka ndodhur. I është pasivizuar adresa profesorit të gjuhës frënge në gjimnaz dhe gruas së tij, e cila është punëtore në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc. Që të dy kanë vendim të përhershëm të punës. Pra edhe këta persona kanë filluar tashmë që të bëhen target i pasivizimit”, shton ai.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar pohon se shqiptarët në të tri komunat e Luginës ndihen të rrezikuar të marrin edhe shërbime shëndetësore.

“Po, sidomos në kohën kur ka tensione mes Kosovës dhe Serbisë. Unë në fillim të mandatit një nga detyrat e mia të para, të cilat i kam bërë, kam kërkuar një takim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe e kam realizuar, me një kërkesë eksplicite, siç ka qenë që qytetarët e Luginës së Preshevës të kenë mundësi t’i kryejnë shërbimet shëndetësore në institucione shëndetësore në Kosovë. Për shkak që ka një hezitim shumë të madh të qytetarëve tanë, të cilët dëshirojnë të marrin shërbimet shëndetësore në institucione shëndetësore në Serbi. Sidomos të ish-ushtarëve të UÇPMB-së, familjeve të tyre, njerëzve, të cilët e kryejnë një aktivitet në dobi të vendit, ka një hezitim. Përgjigjja e ministrit ka qenë që e ka vullnetin ta realizojë këtë dhe do ta pyesë zyrën ligjore, por ende deri sot nuk kam një përgjigje ”, shton Lutfiu.

Në takimet me akterë ndërkombëtarë gjatë vitit të kaluar, Lutfiu tregon se me fakte ua ka paraqitur format e diskriminimit.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

“Në kuptimin gjeografik jemi pjesë e Evropës, jeta e qytetarëve shqiptarë nuk i ngjason një qytetari i cili jeton qoftë në vendet e rajonit, kudo ku ka shqiptarë, kudo ku ka qytetarë. Shihe në Kosovë komunitetet çfarë të drejta kanë, shihi komunitetet në vendet e tjera. Edhe në shtetet e tjera të Ballkanit kemi një progres sa i përket komuniteteve, ndërkohë sa i përket Serbisë kemi jo stagnim, përkundrazi, kemi metoda edhe më të vrazhda të diskriminimit. Pakica shqiptare është e vetmja, e cila përballet me këto lloje të diskriminimit dhe është e qartë që kemi të bëjmë me një racizëm, për shkak se kjo ndodhë vetëm për shkak të përkatësisë tonë etnike”, përfundon ai.

Po ashtu, Nevzad Lutfiu përmend edhe mos-njohjen e diplomave të shqiptarëve të Luginës dhe pamundësinë për të punuar në vendin e lindjes. Ai konsideron se duhet të përpilohet një strategji kombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë se si t’i qasen interesave të shqiptarëve të Luginës.

YouTube player