Kryesore

Pasaporta e Kosovës ngjitet me 90 pozicione në Indeksin e Pasaportave më të Fuqishme

Pas liberalizimit të vizave nga shtetet anëtare të zonës Schengen, pasaporta e Kosovës është ngjitur me 90 pozicione në Indeksin e Pasaportave të VisaGuide.World.

Bazuar në përditësimin e këtij indeksi për muajin janar, pasaporta e Kosovës tashmë renditet në vendin e 98-të, duke u ngjitur nga pozita e 188-të, së cilës i përkiste muajin e kaluar. Themeluesi i VisaGuide.World, Besart Bajrami, ka konsideruar lëvizjen për 90 pozita në këtë indeks si “arritje historike.”

“Kjo është një arritje historike për Kosovën, si dhe ngjitje historike në indeksin pasaportave më të fuqishme ne botë, që tregon se vetëm BE-ja ka autoritetin ekskluziv për të rritur fuqinë e një pasaporte brenda një nate,” thotë Bajrami.

Lexo më shumë  Murati publikon grafikun për kontratat 'njëburimore' ndër vite: Numri i kontratave njëburimore në mandatin tonë është përgjysmuar

Që nga data 1 janar 2024, poseduesit e pasaportave biometrike të Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 44 vende të botës. Përveç kësaj, qytetarët e Kosovës mund të hyjnë edhe në katër vende të tjera pa pasaportë, vetëm me letërnjoftim – Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi.

Gjithsesi, qytetarët e Kosovës kanë nevojë për vizë tradicionale për të udhëtuar në gjithsej 97 vende të botës, vizë që merret në kufi  kur planifikojnë të vizitojnë 32 shtete, si dhe një e-vizë për 33 vende.

Për më tepër, qeveritë e 16 vendeve të botës – Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Kuba, Gjeorgjia, Kazakistan, Kirgistan, Libani, Moldavia, Rusia, Siria, Spanja, Taxhikistani, Turkmenistani, Uzbekistani, Venezuela – ua kanë ndaluar qytetarëve të Kosovës hyrjen në territorin e tyre, për shkak se nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

Në dhjetor të 2023-tës, kur Kosova zinte vendin e 188 në Indeksin e Pasaportave të VisaGuide, qytetarët e saj ishin të lejuar të vizitonin vetëm 11 vende pa viza, dhe kishin nevojë për viza tradicionale për të udhëtuar në gjithsej 130 vende të botës.

Këtë muaj si dhe muajin e kaluar pasaporta më e fuqishme në botë është vlerësuar ajo e Spanjës, pasuar nga ajo e Gjermanisë dhe e Singaporit.

Rruga Press

YouTube player