Ulet me 44% importi i mallrave nga Serbia
Në vitin 2023 Kosova ka importuar dukshëm më pak mallra nga Serbia.
Të dhënat e Doganës së Kosovës, tregojnë se për 11 muaj, janar-nëntor 2023, nga Serbia janë importuar mallra në vlerë 188.5 milionë euro.
Krahasuar me 11 mujorshin e vitit paraprak ka rënie për 44.8%. Përgjatë 11 muajve të vitit 2022 Kosova nga Serbia ka importuar mallra në vlerë 341.3 milionë euro.
Pra këtë vit qytetarët kanë blerë nga Serbia 153 milionë euro më pak.
Ekonomisti Edison Jakurti mendon se janë disa faktorë që kanë mundur të ndikojnë në uljen e importit nga shteti verior.
“Nëse shohim se kur ka ndodhur kjo rënie shohim se kjo ka ndodhur pas muajit qershor. Në muajin qershor kemi pasur kidnapimin e tre policëve të Republikës së Kosovës prej anës së Serbisë, mandej kemi pasur disa deklarime në media që Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur disa masa për shkak të sigurisë, masa kufizuese ndaj importeve të Serbisë”, ka thënë Jakurti.
“Nëse e shohim vetëm tek mallrat, ai është rreth 5 miliardë, nëse e shohim tek mallrat dhe shërbimet për shkak se deficiti tregtar ka edhe mallra dhe shërbimet, natyrisht nëse nuk gaboj është tek 3 miliardë euro. dallim, që është shifër e konsiderueshme”, ka shtuar Jakurtai.
Sipas të dhënave po ashtu del se përgjatë këtij viti për çdo ditë nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 560 mijë eurosh, që vitin e kaluar, shkonte në 1 milion brenda ditës.
Rruga Press