MINT prezanton disa nga të arriturat e Kosovës: Pjesëmarrja në fondin e BE-së prej 4.2 miliardë euro, avancimi në EFTA
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka përmbledhur disa nga të arriturat kryesore që Kosova realizoi gjatë vitit 2023, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në planin ndërkombëtar.
MINT ka potencuar se për herë të parë gjatë vitit 2023 u nënshkrua marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në njërin nga programet më të mëdha të Bashkimit Evropian, në vlerë prej 4.2 miliardë euro.
Mandej sipas MINT edhe negocimi për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-së po avancon si asnjëherë më parë.
Po ashtu, në vitin 2023, për herë të parë në Republikën e Kosovës u regjistruan Treguesit Gjeografik si emërtime të mbrojtura të origjinës dhe kjo për MINT është një e arritur tjetër me rëndësi.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) thekson se edhe numri i inspektimeve preku shifrat rekord gjatë vitit 2023, me mbi 3079 inspektime të realizuara.
Ndërkaq për herë të parë u rregullua veprimtaria e udhërrëfyesve turistik (ciceronëve) në mënyrë që historia, kultura e trashëgimia jonë kulturore të prezantohet nga ciceronë të certifikuar dhe regjistruar në Republikën e Kosovës.
“Plane të tjera të reja na presin në vitin 2024 me qëllim realizimin e prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës Bashkë, për qytetarët tanë dhe të mirën e përgjithshme!”, thuhet nga MINT.
Rruga Press