KryesoreLajme

SPAK mësyn në ‘Delta Pharma’ dhe në farmacitë ‘Ditë e Natë’! Bastisja, pjesë e hetimeve për Beqajn, aksionere e kompanisë gruaja e tij

Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të shoqëruar nga forca policie, kanë ushtruar pasditen djeshme kontrolle në zyrat e kompanisë farmaceutike “Delta Pharma” në zonën e Kasharit në Tiranë.

Kontrollet, të cilat janë bërë për shkak të hetimeve që lidhen me ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, janë kryer gjithashtu edhe tek kompania Avicena dhe farmacitë “Ditë e Natë”, biznese këto në pronësi edhe të Delta Pharma.

Hetimet vijnë disa vjet më vonë pas denoncimit të opozitës e cila në vitin 2016 ngriti dyshimet se Ilir Beqaj në kohën kur ka qenë ministër i Shëndetësisë në vitin 2014 e kishte favorizuar kompaninë “Delta Pharma” ku aksionere është gruaja e tij. Sipas opozitës, aso kohe Beqaj e ka favorizuar kompaninë në fjalë duke ndryshuar kriteret e një tenderi për të lejuar futjen e barnave të pa certifikuara në vendin tonë. Megjithatë ende SPAK nuk ka dalë me një përfundim konkret dhe është duke kryer hetime.

Lexo më shumë  Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për të gjitha krimet serbe të kryera në Kosovë

Prokuroria e posaçme SPAK nuk ka dhënë ende një informacion zyrtar për arsyet e kontrolleve apo nëse ka bllokime apo sekuestro. Burime për Report TV kanë bërë me dije se kontrollet mund të lidhen me verifikimin e një kontratë të ‘Delta Pharma’ për furnizim të Ministrisë së Shëndetësisë me medikamente, një tender 150 mln lekë. Gjithashtu po verifikon disa kontrata të farmacive ‘Ditë e Natë’.

Kjo është çështja e dytë që e implikon Ilir Beqajn si favorizues dhe lidhës i kontratave klienteliste.

Kujtojmë se SPAK po heton disa koncesione në shëndetësi dhënë në kohën kur Ilir Beqaj drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë. Akuzë konkrete për Beqajn nga SPAK është ngritur për shpërdorim detyre për koncesionin e sterilizimit.

YouTube player