Autokratët ballkanikë nuk bëhen aleatë të demokracisë perëndimore
Shkruan Prof. Dr. Enver Bytyçi
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i përforcoi pozitat e tij përmes zgjedhjeve të së dielës së kaluar. Ai manipuloi e grabiti vullnetin e qytetarëve serbë, si dhe\ arriti ta lerë “me gisht në gojë” pretendentin për kryeministër, Ivica Daçiq, sepse grumbulloi për partinë e tij edhe votat e radikalëve të Shejshelit, pjesë e të cilëve ishte vetë presidenti serb para dhjetë – dymbëdhjetë vitesh. Ka shpallur fitoren absolute në parlament si dhe fitoren në Beograd dhe shumicën e bashkive ku u zhvilluan zgjedhjet lokale.
Por opozita ka nisur protestat dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve të zhvilluara më 17 dhjetor. Ajo ka kërcënuar me grevë urie dhe kësisoj Vuçiq mund të gjendet nën presion të brendshëm të shtuar. Ky presion i vjen atij gjithashtu nga OSBE, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, si dhe ministritë e jashtme të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë etj. Duket qartë se ky presion ndërkombëtar do të rritet dhe se zgjedhjet nuk do të njihen.
Çfarë mund të ndodh në këto kushte? Presidenti i Serbisë ka dëshmuar se është një “dhelpër politike dhe diplomatike“! Prej më shumë se një dekade ai ka mundur ta gënjejë perëndimin euro-atlantik se një ditë „do të ndryshojë kursin aleancave serbe në favor të Brukselit dhe Uashingtonit“! Dhe me naivitet pjesa amerikane dhe evropiane që merret me Serbinë ka besuar për këtë. Prandaj ia falën mos-vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë agresore në Ukrainë, marrëveshjen e gazit si dhe atë diplomatike më Putin e Lavrov, madje edhe aktet terroriste në Banjskë të Zveqanit në veri të Kosovës, si dhe dhunën që ai ushtroi kundër forcave të KFOR-it në qershorin e këtij viti në mbyllje.
Ndërkaq autokrati Aleksandër Vuçiq e forcoi pushtetin e tij personal në Serbi në raport me lëshimet euro-amerikane. Sa më shumë ata besuan dhe sa më shumë toleruan, aq më shumë u rrit pesha dhe pushteti aurokratik i presidentit të Serbisë. Tani, thonë, se „kupa u mbush“! Po kur kupa mbushet, ajo edhe derdhet. Ku dhe si do të rrjedhje ajo? Do ta detyrojë shefin e shtetit të Serbisë të ndryshojë vërtet kursin e aleancave të tij nga Moska në Perëndim, apo do të vazhdojë ai të luajë kartat ruse në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Mal të Zi?! Analiza ime çon në përfundimin se Vuçiq nuk reformohet, nuk ndryshon as karakterin e tij, as bindjet nacionaliste. Nuk ndal as përpjekjet për të krijuar Serbinë e Madhe në emër të “botës serbe” dhe nuk shkëputet nga ndikimi e lidhjet e tij me Moskën e për pasojë do të jetë problem dhe njeriu I konfliktit në Ballkan.
Autokratët e shohin pushtetin si synim dhe nuk ndalen nga ambicia për ta shijuar sa më mire prestigjin e këtij pushteti. Prandaj ata penetrojnë me mashtrime e manipulime në të gjitha zhvillimet në një vend të caktuar. Aleanca e tyre nuk është e nuk mund të jetë me demokracitë e zhvilluara. Përkundrazi aleatët e autokratëve janë të ngjashmit e tyre, kudo që ata kanë interes. Aleatët e Aleksandër Vuçiq janë autokrati Viktor Orban. Ai i ka dhënë garanci homologut të tij në Beograd, se do ta ketë mbrojtjen dhe mbështetjen e tij në BE. Ai e mbron kolegun e tij serb nga sanksionet evropiane përmes përdorimit të vetos. Por aleatë të Vuçiq janë edhe Rexhep Tayp Ergogan, Edi Rama, si dhe më i madhi ndër të mëdhenjtë e autokratëve, Vladimir Putin. Edhe kryeministri shqiptar ka vendosur lidhje të ngushta me të gjithë autokratët, përfshirë dhe kryeministren italiane, Georgia Meloni.
Ka diçka sublime e shpirtërore në këtë aleancë e lidhje midis autokratëve. Ajo është dëshira për sundim, kënaqësia nga diktati. Ndërkaq Evropa dhe Amerika pritën më shumë se një dekadë se ish-ministri i propagandës së luftës gonicidiale në Kosovë do të reformohej, do të moderohej dhe do të shndërrohej në demokrat! Kur thashë se Vuçiq ka aleatë Ramën dhe Erdoganin, këtë e arsyetoj në mënyrë të diferencuar. Rama është aleat i presidentit serb jo vetëm si autokrat, por edhe si person që i përket të njëjtës etni, arumune. Prandaj dhe lidhja shkon përtej ideologjisë së autokratisë, shkon deri te gjenetika. Ndërsa lidhjet me Erdogan presidenti serb i shfrytëzon thjesht si lidhje pragmatike, sepse e di se presidenti i Turqisë në raport me Kosovën është më „patriot shqiptar“ sesa Edi Rama!
Aleksandër Vuçiq kësaj radhe u kap mat! Ai besoi se qendrat e kancelarive perëndimore kanë ende të njëjtin interes e të njëjtën tolerancë ndaj tij, si në zgjedhjet e kaluara. Por ndodhi ndryshe. Duket qartë se në Europë dhe SHBA janë bindur tashmë se presidenti i Serbisë i mashtron të gjithë, përfshirë serbët, por edhe ndërkombëtarët dhe luan lojën ruse në Ballkan. Pra ai tashmë se është një lojtar politik i pabesueshëm për perëndimin. Më mirë vonë se kurrë! Të shohim sa do të zgjasë besueshmëria e euro-amerikanëve ndaj kryeministrit të Shqipërisë. Por e sigurt është se disa nga liderët evropiane janë në fund të durimit të tyre. Ndërsa në SHBA dosja e McGonigal e ka bërë de jure të padëshirueshëm Edi Ramën.
Rruga Press