Aksioni opozitar dhe asi nën mëngë i PS-së, si arritën të miratojnë ligjet pa transparencë! Komisariati nr.1 kallëzim në SPAK për deputetët e Berishës
Komisariati numër 1 në Tiranë në bashkëpunim me agjentët e BKH ka depozituar në SPAK materiale lidhur me incidentet e dhunshme dhe protestën e bërë nga opozita në Parlament. Në seancën e së enjtes, e cila zgjati vetëm 7 minuta deputetët e mazhorancës miratuan Buxhetin 2024 teksa deputetë të opozitës protestonin me flakadanë.
Ndonëse situatë e pazakontë në Parlamentin e Shqipërisë, mazhoranca duket se po përdor çdo taktikë për të vënë përpara përgjegjësive të pamerituara opozitën. Prej tashmë një muaj e gjysmë, Parlamenti është kthyer në “noterizimin” e ligjeve nga ana e mazhorancës e cila ka edhe shumicën në Kuvend, teksa opozita ka zgjedhur të mos dialogojë derisa të aprovohen kërkesat e tyre për ngritjen e tri Komisioneve Hetimore për ngjarjet më të rëndësishme të cilat kanë shqetësuar edhe opinionin publik.
Këtë potere nga opozita, PS e argumenton si rrëmujë për të zbehur faktin se kreu i opozitës Sali Berisha është duke u përballur me akuza nga SPAK për privatizimin e Kompleksit Partizani. Kjo akuzë, e cila vjen pas rreth 2 vjetësh nga shpallja non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe në fakt shërbejnë si argument nga qeveria Rama.
Por, përtej argumentimit ndoshta edhe cinik të bërë nga mazhoranca e cila raportet me drejtësinë i ruan sipas interesit, ajo çka realisht është duke ndodhur në Parlament është mungesa e theksuar e transparencës, e madje edhe fortifikimi i legjislacionit për të shuar aktivizimin opozitar ndonëse sa vjen edhe është më pak i pranishëm.
Klima e përçarë brenda Partisë Demokratike është një tjetër element prej të cilit sërish me cinizëm PS përfiton për të fshehur me vellon e të pafajshmëve aktet e tyre brenda Parlamentit.
Aksioni opozitar dhe asi nën mëngë i PS-së
Pengesat e opozitës nga mazhoranca janë evidente. Që prej rrëzimeve të njëpasnjëshme në konferencë të kryetarëve për të ngritur Komisione Hetimore, e cila u pasua me propozimin nga ana e PS për të ndryshuar kriteret ligjore për ngritjen e tyre. Teksa PD-ja është duke u përpjekur të tejkalojë këto barriera përmes poteres në Kuvend, PS-ja përdor asin nën mëngë ku, përpos përjashtimit të deputetëve nga seancat plenare me afat 10 ditor, në 2 muaj e tani nxit policinë që e ka nën kontroll të kallëzojë në SPAK depuetët nga nga Komisariati numër 1 në Tiranë.
Ndryshe nga herët e tjera, referimi i materialeve në SPAK nuk është bërë me emra konkretë, por materiali është referuar për grupin parlamentar të opozitës. Mësohet se ata akuzohen për shkatërrim prone dhe përdorim i lëndëve piroteknike. Më herët, gjatë incidenteve të mëparshme, i njëjti grup hetimor përcolli materialet në SPAK për Albana Vokshin dhe Flamur Nokën. Akuzat për Nokën dhe Vokshit janë për shkatërrim të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat sipas neneve 151 dhe 154 të Kodit Penal, dënohen nga gjobë deri në 5 vjet burg.
Në seancën plenare të ditës së djeshme (7 dhjetor), deputetët e pranishëm të Berishës dhe Bardhit, lëshuan fyerje dhe ofendime ndaj punonjësve të Gardës me të cilët më pas patën edhe përplasje të dhunshme pasi këta të fundit tentuan t’i ndalonin në përsëritjen e kaosit me përmbysjen e karrigeve pranë foltores së sallës. Në vend të transparencës, socialistët propozojnë “disiplinimin” e opozitës nëpërmjet rregullores së re të parlamentit. Si shembull, Çuçi solli parlamentin italian ku siç u shpreh ai të përjashtojnë për 15 javë. Kjo mund të jetë e vërtetë. Por në anën tjetër të dhënat tregojnë se në një legjislaturë të parlamentin italian zhvillojnë punimet disa komisione hetimore, (12 në legjislaturën e kaluar, 15 në legjislaturën e mëparshme) që nga çështje të përgjithshme si antimafia, deri tek hetime të ngjarjeve konkrete. Por sigurisht që nga italianët nuk po kopjohet hapësira dhe mekanizmat që i ofrohen opozitës, por vetëm masat represive për ta ndëshkuar atë.