Opozitari serb thotë se Vuçiqi ka blerë përfaqësues të korruptuar të BE-së: Jam i vetmi politikan serb që me ndershmëri kam fituar besimin e shqiptarëve
Nikola Sanduloviç, kryetari i Partisë Republikane të Serbisë është politikan serb, opozitar i shquar kundër presidentit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, por është edhe i vetmi politikan në Serbi që prej vitesh ka njohur Kosovën si republikë dhe disa herë ka kërkuar falje për krimet serbe në Kosovë.
Ai po ashtu, ka vizituar më herët edhe varrezën e familjes Jashari ku ka bërë nderime dhe ka theksuar se Serbia është përgjegjëse për krimet e luftës në Kosovë dhe se pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve duhet të vijë nga pranimi i fajit nga ana e Serbisë dhe përballja e saj me të shkuarën kriminale.
Së fundmi, teksa ai dhe partia e tij garojnë në zgjedhjet në Serbi, tha se asnjë politikan tjetër dhe asnjë parti politike në Serbi, përveç tij dhe Partisë Republikane që drejton, nuk ka njohuri, moral, argumente dhe guxim për të vendosur paqen përfundimtare të ndershme mes popullit serb dhe shqiptar, dhe për të sjellë zgjidhjen përfundimtare të problemit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Duan apo nuk duan disa, me lëvizjet e mia të ndershme njerëzore dhe politike në dekadat e fundit, unë jam i vetmi në Serbi që kam fituar një besim të tillë të qeverisë së Kosovës dhe shqiptarëve në Kosovë, saqë ata mund të më besojnë në fjalën time dhe që unë do të bëj gjithçka për të cilën dakordohemi dhe të cilën premtoj”, u shpreh Nikola Sanduloviç, duke shtuar se këtë e deklaron me përgjegjësi të plotë, sepse pas saj qëndron përvoja e tij politike dhe jetësore prej dekadash në këto fusha.
Ai paralajmëroi se sa më shumë që kalon koha dhe askush nga BE-ja dhe ShBA-ja nuk reagon ndaj këtij fakti, Aleksandar Vuçiq do ta blejë pikërisht atë kohë duke dërguar në Kosovë terroristët e tij në formën e Milan Radoiçiqit.
“Ndërkohë duke blerë përfaqësues të korruptuar të BE-së dhe ShBA-së në pritje të lëvizjeve të radhës të Vladimir Putinit dhe urdhrave të tij, ne do të jemi gjithnjë e më larg një zgjidhjeje paqësore dhe më afër një konflikti katastrofik mes serbëve dhe shqiptarëve, që do të jenë kryeqendra fillestare e konflikteve në të gjithë rajonin!”, shtoi politikani opozitar serb.
Qasja e Nikola Sanduloviçit edhe më herët është përshëndetur në Kosovë, por për fat të keq, deri tani ai nuk ka gjetur mbështetjen e nevojshme në elektoratin serb, e po ashtu, ai nuk ka marrë përkrahjen e duhur të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Serbi.
Rruga Press