Publikohet shifra e supozuar – Fondet e Gjermanisë për Ukrainën do të rriten masivisht
Gjermania do të zgjerojë ndjeshëm ndihmën për Ukrainën vitin e ardhshëm, tha të hënën Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
“Mbështetja jonë do të zgjerohet masivisht për vitin e ardhshëm,” tha ajo.
Komentet vijnë pas disa raportimeve të mediave, duke cituar burime të paidentifikuara, që shprehen se Gjermania planifikon të zgjerojë fondet e saj ushtarake për Kievin vitin e ardhshëm.
Gazeta Bild am Sonntag raportoi në fundjavë se koalicioni qeverisës i kancelarit gjerman, Olaf Scholz dëshiron të rrisë ndihmën ushtarake të Gjermanisë për vitin 2024, nga 4 miliardë euro të planifikuara në 8 miliardë euro (8.5 miliardë dollarë).
Megjithatë, planet nuk janë konfirmuar ende dhe do të duhet të miratohen nga një komision parlamentar.
I pyetur në lidhje me këtë, Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius tha për median gjermane se “në këto momente, teksa Ukraina duhet të vazhdojë luftën e saj dhe në të njëjtën kohë një pjesë e vëmendjes së publikut në mbarë botën është drejtuar më shumë kah Izraeli, ky është një sinjal i fortë për Ukrainën se nuk do ta lëmë në baltë”.
Rruga Press