KryesoreLajme

Osmani për “Die Welt”: Serbia planifikon ta aneksojë veriun me skenarin e Putinit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia ka kohë që planifikon të aneksojë veriun, e këtë sipas saj, Beogradi ka tentuar ta bëjë sipas skenarit të presidentit rus, Vladimir Putin, në rastin e Krimesë.

Osmani ka deklaruar për gazetën gjermane “Die Welt” se Beogradi po e nxit komunitetin serb në Kosovë nëpërmjet propagandës, duke theksuar se sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator tregon se “sulmuesit kanë dashur që në një operacion hibrid të pushtojnë veriun e vendit tonë”.

“Pa aparatin shtetëror serb, ata kurrë nuk do të kishin pasur qasje në armët ushtarake që i konfiskuam. Burrat u trajnuan në bazat ushtarake serbe nën koordinimin e ministrit serb të Mbrojtjes. Krahas kësaj, sipas Qeverise amerikane, Serbia ka rritur në një masë të paprecedentë praninë e forcave të saja të armatosura në kufirin me Kosovën. Kjo tregon se serbët synojnë përshkallëzim të mëtejshëm. Dhe se synimi i tyre është ende të pushtojnë pjesë të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës ka theksuar se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e saja, e siç është shprehur ajo, nëse Serbia nuk mbahet përgjegjëse për agresionin në veri, “është shenjë inkurajimi që të përshkallëzohet vazhdimisht”.

Lexo më shumë  Takimi me Plenkovic, Kurti: Diskutuam për sigurinë në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit në arsim e mbrojtje

“Nëse akti i agresionit nuk ka pasoja, kjo është një shenjë inkurajimi për Serbinë që të përshkallëzohet vazhdimisht. Dhe në një shkallë shumë më të madhe sesa sulmi që parandaluam. Dua t’ju kujtoj se presidenti serb Aleksandar Vuçi ka qenë dikur ministër i propagandës në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Dhe sot ai thotë gjëra të tilla si: ‘Mund të na vrasësh të gjithëve. Ne kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës’. Kjo është një thirrje zgjimi për të gjithë ata që besuan se Vuçiqi mund të sillte paqe”, ka potencuar ajo.

Osmani është shprehur tutje për mediumin gjerman se Kosova kishte një “episod keqkuptimi” me partnerët ndërkombëtarë, por tash sipas saj, qëndron në unison të plotë për të parandaluar sjelljen destabilizuese të Serbisë.

“Rusia dëshiron të hapë një front të ri kundër Perëndimit. Vëmendja e Perëndimit po shpërndahet në disa konflikte në vend të përqendrohet në Ukrainë, ku me të drejtë shtrihet për momentin. Moska gjithashtu është e interesuar për përshkallëzim të ri në Ballkanin Perëndimor”.

Lexo më shumë  Kurti: Regjimi i vjetër po shpërndan para te pista te media të caktuara

Kosova ka nevojë për mbështetjen e NATO-s në sigurimin e kufirit me Serbinë, sipas Osmanit, që siç ka thënë ajo, të parandalohet çdo kontrabandim i pajisjeve ushtarake.

“Nga ana tjetër, Serbia duhet të mbajë përgjegjësi dhe Gjermania mund të ndihmojë për këtë. Është me të vërtetë e vështirë të arrihet unanimiteti i nevojshëm për masat në nivelin e BE-së. Por, Qeveria e Gjermanisë ka një sërë mjetesh në dispozicion për t’i dërguar një mesazh të qartë Serbisë në një nivel dypalësh, për shembull përmes sanksioneve…Kam lindur në Mitrovicës. Sot, fëmijët e e vegjël në Kosovë po zgjohen me të njëjtin shqetësim që na shoqëroi si fëmijë në fillim të viteve 1990, kjo për shkak se politikanët në pushtet në Serbi duan ta kthejnë rajonin në të kaluarën. Ne duam të kundërtën. Ne nuk duam që brezi i ri të kalojë atë që kemi përjetuar ne në fëmijërinë tonë. Unë sinqerisht shpresoj se ne kemi mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve tanë për të siguruar këtë dhe për të mbrojtur atë që kemi arritur”, ka thënë Osmani për “Die Welt”.

Rruga Press

YouTube player