Lajme

Osmani: Kosova nën sulm, dialogu s’është më njësoj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj se janë prapa sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën. Në një intervistë për “Reuters”, Osmani ka thënë se as dialogu Kosovë-Serbi nuk është më njësoj sikur që ka qenë deri tash.

“Kosova është nën sulm”, ka thënë ajo të enjten. “Grupi i armatosur thjesht ushtroi synimet dhe motivet e Serbisë si shtet dhe të Vuçiqit si lider”.

Të dielën në Banjskë të Zveçanit nga një grup i organizuar e i armatosur serb u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues, Policia rrethoi grupin me dhjetëra persona të uniformuar. Ata u strehuan në Manastirin e Banjskës. Në aksionin e Policisë u vranë tre persona ndërsa u arrestuan tetë. Të tjerët kanë ikur. Pamjet nga droni të policisë kanë vërtetuar lëvizjet e të uniformuarve në hapësirat e manastirit.

Lexo më shumë  Sveçlës i refuzohet vizita në Luginë: Serbia vazhdon me provokime

“Ajo që do t’i thosha presidentit Vuçiq është që të mos ngatërrohet me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë e saj, pavarësinë e sovranitetin me çdo çmim”, ka thënë Osmani. “Po përpiqen të realizojnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht që s’do të lejojmë këtë… do ta mbrojmë çdo cep të territorit të Kosovës”.

Rusia pati aneksuar rajonin e Krimesë nga Ukraina më 2014. Kosova akuzon Serbinë se ka këtë qëllim për veriun e territorit të Kosovës.

Tashmë janë publikuar dëshmi që tregojnë se grupi që kreu sulmin ishte i mirëtrajnuar dhe i armatosur rëndë.

Osmani ka thënë se ngjarje të tilla mund të përsëriten në të ardhmen dhe ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të bëjë gjithçka që mundet që ta ndalë Serbinë.

Lexo më shumë  Pse disa lagjeve dhe qytezave në Kosovë u mungon energjia elektrike

“Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, në shkallë edhe më të madhe, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk ndëshkohet, së pari për këtë akt terrorist të agresionit”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se edhe dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë i njëjtë sikur në të kaluarën.

“Padyshim që s’do të jetë si zakonisht”, ka thënë ajo. “Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë si të tillë, edhe në përpjekjet e tyre karshi Serbisë nga tash e tutje”.

Rruga Press

YouTube player