Lajme

Të arrestuarit për terrorizëm mund të dënohen nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm

Personat e arrestuar për sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën në Banjskë të Zveçanit mund të dënohen nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm, thotë Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas tij, të njëjtit për veprën e rëndë penale të terrorizmit do të gjykohen në Kosovë, derisa është e pamundur që ata të ekstradohen në Serbi për shkak të mungesës së marrëveshjes për bashkëpunim juridik ndërkombëtar.

Po ashtu, Shala nuk pret nga Serbia që t’i dorëzojë në Kosovë kriminelët e arratisur në veri, përkundër thirrjeve të djeshme të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Shala nga IKD thotë për KosovaPress se në bazë të Kodit Penal të Kosovës vepra penale e terrorizmit është ndër veprat më të dënueshme dhe të rënda në Kosovë.

“Në rastin konkret kemi të bëjmë me vepra penale të terrorizmit. Veprat penale të terrorizmit janë ndër veprat më të dënueshme dhe më të rënda të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Nëse e definojmë realisht se çka nënkuptojmë me terrorizmin i bie kryerja e veprimeve të përcaktuara me ligj të veprave penale të llastuara të cilat kanë për qëllim destabilizimin e vendit, krijimin e frikës në popullsinë e gjerë dhe të tjera. Nëse e shohim dënimet e përcaktuara me Kodin Penal atëherë fillimisht prej më të ulëtave dënime janë deri në 25 vjet. Ndërkaq në situata të caktuara nëse një sulm terrorist përfundon me vdekjen e ndonjë personi pastaj dënimet janë deri në burgim të përjetshëm. Mos ta harrojmë faktin se me qëllim të parandalimit të terrorizmit sipas Kodit Penal janë përcaktuar edhe një sërë veprash të tjera që inkriminojnë veprimet e ndryshme në mënyrë që të parandalohet terrorizmi. Siç është përgatitja e veprave penale të terrorizmit, ndihma pas kryerjes së veprave penale dhe të tjera”, thotë ai.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

Sipas tij, të gjithë personat që kanë kryer veprën penale të terrorizmit dhe kapen në territorin e vendit duhet të gjykohen në Kosovë, pa marrë parasysh kombësinë e tyre.

“Vepra penale është kryer në Republikën e Kosovës dhe tek definimet për vendin e kryerjes së krimit dhe çështjes së kompetencës, në rastin konkret nuk kemi as marrëveshje për bashkëpunim juridik-ndërkombëtar me Serbinë. Kjo i bie se personat që kryer këtë vepër penale dhe kapen në Republikën e Kosovës ata duhet të gjykohen në Kosovë pa marrë parasysh kombësinë e tyre. Në rastin konkret e mira që mbrohen është e Republikë së Kosovës dhe vepra është kryer në territorin e Kosovës”, shton Shala.

Ai e sheh të vështirë që edhe të arratisurit në Serbi, disa prej tyre që po mjekohen edhe në spitalin rajonal në Novi Pazar të ekstradohen në Kosovë nëse të njëjtit arrestohen nga autoritetet serbe.

“Me Serbinë ne nuk kemi as marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar. Në mungesë të kësaj marrëveshje në disa raste aplikohet reciprociteti që nuk ekziston po ashtu në rastin konkret. Tash i bie që në këtë situatë, nisur nga këto dy aspekte dhe nga mënyra si ka vepruar Serbia në të kaluarën nuk kemi mundësi që t’i ekstradojmë të njëjtit. Mbetet të shihet sesi Serbia do të veprojë me ata persona me sistemin e saj dhe institucionet e saj të sistemit të drejtësisë. Mirëpo në këtë situatë çfarë jemi Kosova nuk mund të ekstradojë personat që tashmë janë larguar nga Kosova, përjashtimisht nëse të njëjtit kapen në një shtet të tjetër që ka ndonjë marrëveshje”, thekson ai.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zvecanit.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore, për t’u strehuar më pas në Manastirin e Banjskës.

Sipas informacioneve zyrtare, tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona. Gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh të kalibrave të ndryshëm, eksplozivë, municione dhe logjistikë të aftë për të pajisur qindra persona.

Rruga Press

YouTube player