Lajme

Nis gjyqi në Arbitrazh për kontratën në Portin e Durrësit: Kompania gjermane kërkon 40 mln euro dëmshpërblim

Është zhvilluar seanca e parë në Gjykatën e Arbitrazhit në Uashinghton për kontratën koncesionare të kompanisë gjermane “EMS APO”, e cila paditi shtetin shqiptar.

Padia kundër shtetit shqiptar nga “EMS Shipping & Trading GmbH (German)” që operon në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit u regjistrua në Gjykatën e Arbitrazhit më 7 Prill 2023.

Referuar njoftimit në faqen zyrtare të Gjykatës së Arbitrazhit https://icsid.worldbank.org/cases/case-database/case-detail?CaseNo=ARB/23/9 më 18 Shtator 2023, tribunali ka mbajtur seancën e parë me video konferencë.

Fatura financiare e dëmshpërblimit e kërkuar në Arbitrazh për trajtim të pabarabartë dhe diskriminues nga kompania gjermane EMS APO që përpunon anijet e mallrave rifuxho në Durrës është në vlerën e 40 milionë eurove. Fatura 40 milionë euro për arbitrazhin në Portin e Durrësit; Kompania: U dëmtuam qëllimisht – Revista Monitor

Drejtuesit e kompanisë më herët pohuan për Monitor se institucionet shqiptare penguan qëllimisht aktivitetin e tyre që nga 2020, kur nisën trajtimin preferencial për operatorin privat në Porto Romano, për të vijuar më pas zënien e hapësirës së portit të Durrësit për zhvillimin e projektit të “Durrës Yahts Marina”. Ndërsa nga autoritet shqiptare sipas EMS nuk pati asnjë komunikim se nëse do të transferohej aktiviteti i tyre në projektin e portit të ri tregtar. Edhe projekti për ndërtimin e portit të ri i prezantuar publikisht nuk parashikonte asnjë hapësirë për mallrat rifuxho sipas koncensionarit.

Objekti i kontratës koncesionare është menaxhimi, operimi dhe mirëmbajtja e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit. Shteti shqiptar dhe EMS-Fehn-Group (d.m.th. EMS Shipping & Trading GmbH) kanë lidhur kontratën koncesionare në maj të vitit 2013.

Kontrata shtrihet për një periudhë 35-vjeçare nga viti 2013 deri në vitin 2048. EMS-Fehn-Group themeloi Operatorin Portual Shqiptar EMS Shpk. (EMS APO) si njësi operacionale në Durrës. Kontrata i jep EMS-Fehn-Group/EMS APO të drejtën për të përpunuar ngarkesat rifuxho, ngarkesat e përgjithshme dhe ngarkesat projektesh në Terminalin Lindor.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

Pse arriti kontrata koncensionare deri në Arbitrazh?

Drejtues të grupit “EMS APO” deklaruan më herët për Monitor se për 2022 volumi i ngarkesave të përpunimit të mallrave rifuxho ranë 70% krahasuar me vitin paraardhës. Ish Ceo i grupit Manfred Mueller tha se rënia e volumit të punës fillimisht u nxit nga trajtimi preferencial i autoriteteve shqiptare për një operator portual në Porto Romano, si dhe nga pasiguritë në lidhje me të ardhmen e EMS APO për shkak të njoftimit se Porti i Durrësit do të shndërrohet së shpejti në një port argëtimi.

Pas ndryshimit të kontratës të Portit MBM (Multi Buoy Mooring) në 2020 nga Parlamenti në administrimin e “Kastrati Group” ku përveç shërbimit të përpunimit të ngarkesave dhe depozitimit të naftës në Porto Romano u shtua që “koncesionari mund të ngarkojë-shkarkojë dhe përpunojë në këtë port, anije që transportojnë mallra të tjera”, në Gusht 2021 qeveria nëpërmjet një vendimi lejoi zgjerimin e portit ekzistues në Porto Romano, duke i hapur rrugë projektit të ri.

Projekti i Durrës Yacht & Marina që përkon me zhvillimin e një porti jahtesh, ngritjen e 13 mijë apartamenteve dhe hoteleve do të zhvillohet në truallin e portit aktual të Durrësit, ka vënë në pikëpyetje vijueshmërinë e aktivitetit ekonomik të shumë operatorëve që përpunojnë mallrat në këtë port, por edhe të qindra qytetarëve durrsake të cilët janë të punësuar në këtë port.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

Shqetësimi u ngrit edhe koncesionari EMS EPO të cilët deklaruan se qeveria shqiptare njoftoi transformimin e Portit të Durrësit në një port argëtimi pa u dhënë informacion të saktë dhe një grafik të qartë për ndërtimin e portit të ri publik në Porto Romano, si një vend alternativ për aktivitetin e Fehn-Group/EMS APO.

Zbatimi i projektit të ri përfshin zënien e 90% të truallit mbi të cilin operon kompania koncesionare. Për drejtuesit e kompanisë marrëveshja për “Durrës Yachts Marina” bie në kundërshtim pasi ka mbivendosje me kontratën koncesionare të EMS-Fehn-Group.

“Konflikti aktual me autoritetet shqiptare u kristalizua në vitin 2020, ndonëse problemet kishin disa vite më parë që po shfaqeshin. Ne në EMS-Fehn-Group kemi përshtypjen e fortë se autoritetet shqiptare kanë penguar qëllimisht aktivitetet e Operatorit Shqiptar Portual EMS (EMS APO’s) me qëllim që të nxjerrin kompaninë jashtë biznesit, duke i akorduar të drejta shtesë një operatori privat në Porto Romano, ashtu siç u përmend më lart, ndoshta për të mundësuar jo të drejtë mbylljen e aktiviteteve tregtare në Portin e Durrësit dhe veçanërisht duke filluar me zonën e Terminalit Lindor, në funksion të një porti argëtimi”, citohej Manfred Mueller në intervistën e tij për Monitor. https://www.monitor.al/mueller-i-ems-shteti-shkeli-kontraten-dyshime-se-projekti-shteteror-ne-porto-romano-do-behet-ndonjehere/

Më 29 Korrik 2023 Autoriteti Portual Durrës nisi ndërhyrjet për largimin e kompanisë gjermane në kundërshtim me kontratën koncesionare sipas drejtuesve të saj. Shkak i ndërhyrjes ishte për t’i hapur rrugë zhvillimit të projektit të Durrës Yahts Marina, ku për fazën e parë të ndërtimit të godinave me apartamente, sipas drejtueseve të kompanisë koncesionare EMS APO do të shfrytëzohen 90% e hapësirës së terminalit lindor ku operon kompania gjermane. /D.Azo/MONITOR

Rruga Press

YouTube player