Ukrainë/ Mësimi në kohë lufte
Nga BBC
Për t’i shmangur kërcënimet vdekjeprurëse, shumë nxënës do të mësojnë nga distanca, dhe mbetet përgjegjësi e autoriteteve lokale për të vendosur nëse mësimi do të mbahet në klasa apo në shtëpi.
Ishte mëngjes i qetë në Romny, provincën veriore të Ukrainës. Kur Tetyana Prokopenko, kryemësuesja e vendit, u nis për punë të mërkurën e kaluar, i tha bashkëshortit të saj se do t’i mbante disa takime për tu përgatitur për vitin e ri shkollor.
Pak pas orës 10 në kohën lokale, ajo do të gjendej e vdekur, bashkë me asistentin e saj, sekretarin dhe bibliotekistin. Të gjithë u vranë nga droni kamikaz rus, i cili pothuajse e shkatërroi komplet shkollën e tyre.
“Ishte aq e dhënë pas asaj shkolle, ishte gjithçka për të. Ajo gjendej aty 24/7”, ka treguar me lot në sy bashkëshorti i Prokopenkos, Valery.
Sulmet ruse do të jenë kërcënim i vazhdueshëm për mësuesit ukrainas, fëmijët dhe prindërit teksa viti i ri shkollor nis me 1 shtator.
Sipas autoriteteve ukrainase, më shumë se 360 objekte arsimore janë shkatërruar plotësisht dhe më shumë se 3 mijë prej tyre janë dëmtuar rëndë gjatë luftës me Rusinë.
Rusia dhe Amnesty International e kanë akuzuar Ukrainën për vendosjen e bazave ushtarake në shkolla, mirëpo Kievi i përshkruan këto akuza si “fushatë keqinformimi dhe propagandë”.
“Ju betohem se nuk ka pasur ushtri aty”, ka thënë Valery për shkollën në Romny ku u vra gruaja e tij.
Metro e kthyer në klasë
Për t’i shmangur kërcënimet vdekjeprurëse, shumë nxënës do të mësojnë nga distanca, dhe mbetet përgjegjësi e autoriteteve lokale për të vendosur nëse mësimi do të mbahet në klasa apo në shtëpi.
Vendimi i tyre varet nga siguria në vend në secilin rajon, dhe nëse shkollat kanë strehim ndaj bombave.
Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, Kharkiv, është afër kufirit rus dhe shpesh i shënjestruar për sulme. Për këtë arsye, mësimi më së shpeshti do të mbahet në distancë.
Për të mundësuar të paktën një formë të sigurt edukimi personal, autoritetet atje kanë ndërtuar 60 klasa në stacionet e metrosë nëntokësore, të mjaftueshme për të akomoduar më shumë se 1 mijë nxënës.
Zëvendësministri i Arsimit, Andriy Stashkiv ka thënë për BBC-në se rreth një e gjashta e shkollave ukrainase tani pritet të punojnë nga distanca.
Kurrikula e kohës së luftës
Rreth 80 mijë nga nxënësit e tyre do të hyjnë nga territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë.
“Është sfidë e madhe për ne dhe është e rrezikshme për ta sepse pushtuesit i kërcënojnë ata dhe prindërit e tyre nëse zbulojnë se vazhdojnë të studiojnë në shkollat e Ukrainës. Është një çështje shumë e ndjeshme sigurie dhe shkollat nuk thonë se cilët janë këta nxënës sepse kjo mund të vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e tyre”, ka thënë Stashkiv.
Kurrikula shkollore po përshtatet gjithashtu me kushtet e kohës së luftës dhe studimi i sigurisë nga minat tani do të jetë i detyrueshëm.
Për ta bërë kursin më të qasshëm për fëmijët më të vegjël, ai paraqet Patron, qenin e famshëm që nuhat minat, i cili gjithashtu luan në një serial vizatimor që i edukon të rinjtë ukrainas për rreziqet që paraqesin municionet e pashpërthyera.
Imazhet e terrierit miqësor Jack Russell ndihmojnë në krijimin e “atmosferës së sigurisë psikologjike dhe mendore” për të cilën fëmijët ukrainas kanë nevojë, ka theksuar Lesya Yurchyshyn, një mësuese nga Kievi, për podkastin e BBC-së për Ukrainecast.
Një tipar tjetër i kurrikulës që ka ndryshuar nga lufta me Rusinë është largimi i shumë shkrimtarëve rusë vitin e kaluar nga ministria e arsimit e Ukrainës.
Përçarja e shkaktuar nga lufta ka pasur një efekt shkatërrues në cilësinë e arsimit në Ukrainë.
Agjencia e OKB-së për fëmijë Unicef thotë se fëmijët ukrainas po tregojnë shenja të “humbjes së përhapur të të mësuarit”.
“Brenda Ukrainës, sulmet ndaj shkollave kanë vazhduar të pandërprera, duke i lënë fëmijët thellësisht të shqetësuar dhe pa hapësira të sigurta për të mësuar. Jo vetëm që kjo ka bërë që fëmijët e Ukrainës të përpiqen të përparojnë në arsimin e tyre, por ata po përpiqen gjithashtu të ruajnë atë që mësuan kur shkollat e tyre ishin funksionale plotësisht”, ka theksuar Regina De Dominicis, Drejtoreshë Rajonale e Unicefit për Evropën dhe Azinë Qendrore.
Dhe ka kohë që shkollat funksionojnë plotësisht në qytetet e vijës së parë si Zaporizhzhia, ku arsimi në distancë ka qenë prezent – me ndërprerje të shkurtra – që kur kufizimet Covidit nisën në pranverën e vitit 2020.
“Kjo nuk është një shkollë normale”, ka theksuar Kostyantyn Samiylo, kreu i shkollës Perspektyva në Zaporizhzhia. “Fëmijë të gjorë, tre vjet nuk kanë parë shkollën!”.
Sipas tij, mësimi në distancë e bën shumë më të vështirë motivimin e fëmijëve apo testimin e njohurive të tyre. Samiylo përshkruan se si i ka munguar pamja e fëmijëve që shkojnë në shkollë – diçka që mund ta shihni vetëm më larg nga vija e frontit.
“U përlota kur vizitova Ukrainën perëndimore vitin e kaluar dhe pashë fëmijë që shkonin në shkollë me çantat e tyre të vogla. Është e tmerrshme të mendosh se fëmijët tanë nuk e kanë këtë mundësi”, është shprehur Samiylo.
Por çfarëdo ndikimi që mund të ketë mësimi në distancë në arsimin në Ukrainë, mësuesit, zyrtarët dhe prindërit të gjithë bien dakord se siguria është e para.
Rruga Press