Për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale? – Ministrja Haxhiu me VIDEO sqaron si u dhanë mbi 12 hektarë tokë dhe u rrënua “Hoteli Vicianum”
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një videoje të publikuar të enjten në llogarinë e saj në Facebook ka hedhur dyshime mbi punën e Prokurorisë Speciale.
Ajo ka folur për një pronë në Vushtrri që sipas saj i takon dikasterit që udhëheqë, por që i është dhënë për 10 vite në shfrytëzim një personi fizik nga ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-drejtori i burgjeve.
Haxhiu ka thënë se auditori i brendshëm i ministrisë ka gjetur se kontrata është lidhur pa asnjë bazë ligjore dhe kushtetuese.
“Për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?”, ka shkruar Haxhiu, duke akuzuar Prokurorinë e Shtetit se ka krijuar precedent të rrezikshëm, meqë nuk e ka konsideruar vepër penale rrënimin e objektit të ish-hotelit Vicianum.
Haxhiu ka thënë se në Prokurori dhe Polici kanë bërë edhe shumë denoncime të tjera, por që nuk është ndërmarrë asnjë veprim.
Rruga Press