Rexhaj: Kryeprokurori Isufaj po shantazhon se këtë javë do arrestohet ministrja Hajdari
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arber Rexhaj ka thënë se kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj po shantazhon me arrestimin e mundshëm të ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari.
Përmes një postimi në Facebook, Rexhaj ka thënë se “Blerim Isufaj, kryeprokurori i Speciales, ai që ia ka hequr fletëarrestin Radojiçiqit për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, nuk po lë vend pa shantazhuar me “këtë javë do arrestohet ministrja””.
Sipas tij, kryeprokurori “ia bëka agjendën prokurorit të rastit”, duke i thënë atij që “ta marrë vet këtë rast, ta shfryjë gjithë mllefin që ka me qeverinë”.
“Kështu me gjasë shpreson pak, edhe ca ditë s’e do ta kontrollojë zgjedhjen e pozitave drejtuese në sistemin prokurorial këtë mes shtator”, ka vijuar ai.
Ndryshe, më 18 gusht, në bastisjet që ka realizuar Policia e Kosovës në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka arrestuar dy punonjës të këtij dikasteri.
Të arrestuarit janë drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
Policia gjatë bastisjes në pronën dhe biznesin e Ridvan Muharremit, e ka arrestuar të njëjtin si njëri nga personat e dyshuar në këtë rast.
Të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit.
Aksioni është zhvilluar pas publikimit të disa audioincizimeve nga gazeta “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë, edhe pse për atë sasi shteti kishte paguar.
Ndërkohë, pas bastisjes, janë publikuar lajme ku raportohet se Irfan Lipovica është dhëndrri i Bedri Hamzës së PDK-së e Hafiz Gara është anëtar i LDK-së.
Rruga Press