Murati: Sistemi i kapur i drejtësisë po i lufton ministrat e Kurtit me spektakle nga asgjëja
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Prokuroria Speciale nuk e ka mision luftimin e krimit, por mbrojtjen e “kastës së vjetër kriminale”.
Sipas tij, sistemi “i kapur” i drejtësisë po i lufton ministrat e Qeverisë Kurti.
Krejt reagimin e tij, Murati e ka filluar me ish-ministrin e Industrisë dhe Tregtisë, Vesel Krasniqi, i cili të premten mbrëma ka folur për KOHËN. Murati i ka dalë në mbrojtje ministres së MINT-it, Rozeta Hajdari, pas arrestimeve në dikasterin që ajo drejton e një biznesmeni lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Ai ka thënë se Prokuroria nuk është marrë me shkeljet që sipas tij ishin bërë nga ish-ministri Veseli.
“Në fund të vitit 2020, Nja 10 ditë pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur Qeverinë Hoti të paligjshme, Vesel Krasniqi duke u bazuar në një udhëzim administrativ poashtu të paligjshëm, kishte marrë vendim për caktimin e një operatori ekonomik “për shenjimin e naftës”. Vendimi ishte marrë me 30 dhjetor, një natë para natës së Vitit të Ri. Kujtojeni që edhe vendimi për shpronësimin e famshëm të rrugës Kijevë-Zahaq nga Qeveria Haradinaj ishte marrë me 31 dhjetor 2019, që poashtu ishte qeveri në ikje dhe e dorëhequr. Megjithatë, shkojmë me 14 janar 2021, pra dy javë më vonë, Vesel Krasniqi nënshkruan kontratë 5-vjeçare me të njëjtën kompani, për t’i dhënë kompanisë monopol në shënjimin e naftës”, ka shkruar ai.
Murati ka theksuar se Qeveria aktuale pati dorëzuar kallëzim penal ndaj rastit dy vjet më parë në Prokurorinë Speciale, e se prokuroria nuk ka bërë asgjë. Ai ka publikuar edhe emrin e prokurorit të ngarkuar me lëndën.
“Me sa kuptova, i ngarkuar me këtë rast qenka prokurori Milot Krasniqi. Pra përkundër faktit që kallëzimi penal përmbante të gjitha dëshmitë e nevojshme për të ngritur aktakuzë ndaj Vesel Krasniqit, Prokuroria Speciale nuk bëri asnjë hap deri më sot. Sepse luftimi i krimit e korrupsionit me sa shihet nuk është misioni i tyre, por mbrojtja e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet”.
“E për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po luftojnë me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjnë spektakle nga asgjëja”, ka shtuar Murati.
Murati ka deklaruar se Krasniqi do të duhej të jepte llogari, ndërsa ka kritikuar prokurorinë se po bën spektakël.
Rruga Press