KryesoreLajme

Shkopi i hoxhës dhe shkopinjtë e policisë: Dhuna që pushteti harron, por njerëzit jo

Shkruan Lutfi Dervishi

Shkopi i hoxhës dhe shkopinjtë e policisë

Një rrëfenjë e vjetër me motive orientale tregon se një mbret i besoi një hoxhe të ditur edukimin e djalit të tij, trashëgimtarit të fronit.

Një ditë, ndërsa princi po mësonte, hoxha mori shkopin dhe e goditi fort në shpinë, pa asnjë shkak.

I habitur dhe i lënduar, princi e pyeti:

“Përse më godite, o hoxhë? Çfarë kam bërë?”

“Hesht!”, iu përgjigj mësuesi.

“Por unë nuk bëra asgjë!”

“Të thashë, hesht!”

Princi nuk e kuptoi kurrë arsyen e atij ndëshkimi, por as nuk e harroi.

Kaluan shumë vite. Mbreti vdiq dhe princi trashëgoi fronin. Një nga punët e para që bëri ishte të thërriste mësuesin e tij, tashmë të moshuar.

“Hoxhë efendi, të kam thirrur të më përgjigjesh për një pyetje që më mundon prej vitesh. Përse më godite atë ditë, kur nuk kisha bërë asgjë?”

Lexo më shumë  Konjufca i kundërpërgjigjet Gjuriqit në OKB: Si mund të flasim për integrim evropian kur takoheni me Radoiçiqin?

Hoxha e vështroi dhe e pyeti:

“Ende nuk e ke harruar?”

“Si mund ta harroj?

Hoxha buzëqeshi lehtë.

“Pikërisht këtë doja të të mësoja. E dija se një ditë do të bëheshe mbret dhe do të kishe pushtet mbi njerëzit, mbi jetën dhe fatin e tyre, do të kishe ushtarë, roje dhe njerëz që do të zbatonin urdhrat e tu.

Doja që, përpara se të urdhëroje ndëshkimin e dikujt, të kujtoje dhimbjen që ndjeve atë ditë.

Ti nuk e harrove një goditje të padrejtë për gjithë këto vite. Mendo sa gjatë do ta mbajnë mend padrejtësinë njerëzit që do të qeverisësh.

Ai që e ushtron padrejtësinë mund ta harrojë që të nesërmen. Ai që e pëson, mund ta mbajë mend gjithë jetën.”

Kjo rrëfenjë mu kujtua këto ditë, duke parë ngjarjet në Tiranë.

Studentë dhe gjimnazistë të goditur, të rinj të prangosur, njerëz të lënduar, gazetarë të goditur gjatë kryerjes së detyrës. Kemi parë edhe policë të plagosur, sulme ndaj tyre dhe shkatërrim të pronës.

Lexo më shumë  Këngëtarja e njohur reagim të fortë ndaj Ramës, Anjeza Shahini: Shoh një shëmbëlltyrë diktature, më mirë ik si kryeministër i dështuar se si diktator

Një shkop mund ta shpërndajë një turmën, një arrestim mund ta largojë një student nga sheshi, gazi dhe uji mund ta zbrazin bulevardin, por asnjëra prej tyre nuk e fshin kujtesën e padrejtësisë.

Pushteti e harron shpejt dhunën që ushtron, por njerëzit nuk e harrojnë lehtë dhunën që pësojnë.

Hoxha e dinte se princi do të bëhej mbret.

Sot askush nuk e di se çfarë do të bëhen nesër studentët që protestojnë në rrugët e Tiranës, por një gjë është e sigurt: ata do ta mbajnë mend mënyrën se si u trajtuan sot.

Rruga Press

YouTube player