Lajme

Policia e Kosovës nis vendosjen e kamerave të trupit

Policia e Kosovës ka nisur realizimin zyrtar të projektit për vendosjen e kamerave të trupit në zyrtarët policorë. Të martën, Policia pranoi donacion nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës disa kamera të trupit.

Sipas njoftimit të Policisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, dhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, nënshkruan pranim-dorëzimin e donacionit të kamerave të trupit për zyrtarët policorë.

“Policia e Kosovës (PK) në mbështetje dhe përkrahje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vite më parë kishte filluar këtë pilot-projekt, ku fillimisht në bashkëpunim dhe koordinim edhe me institucionet relevante të RKS-së, janë bërë përgatitjen e dokumentacioneve të nevojshme dhe Procedurat Standarde të Operimit”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Njësiti i Policisë në autostrada kishte nisur fazën testuese të kamerave të trupit më 7 korrik, ndërsa faza e testimit kishte vazhduar edhe me njësitet tjera.

Për rolin dhe qëllimin e projektit, sipas njoftimit, foli drejtori Hoxha, i cili ndër të tjera ka thënë se Policia e Kosovës përmes qasjes inovative të investimeve në teknologji informative ka arritur progres në transformimin digjital, ku edhe realizimi i këtij projekti ka për qëllim rritjen e përgjegjësisë, transparencës, llogaridhënies, rritjes së besimit të qytetarëve ndaj policisë, si dhe të argumentimit të aktiviteteve policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren.

Ndërsa, ambasadori Hovenier ka theksuar se ceremonia e ditës së sotme shënon donacionin për kamera të trupit nga Qeveria e SHBA-së për Policinë e Kosovës.

“Këto kamera të trupit janë burim i ri jetik për zbatim të ligjeve në Kosovë të cilat do ta rrisin besimin dhe sigurinë e publikut për policinë dhe ndjeshëm do ta përmirësojnë llogaridhënien”, ka thënë Hovenier, sipas njoftimit.

Policia në fund ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen e kamotshme që i jep autoriteteve të Kosovës.

Rruga Press

YouTube player