Bota

Polonia dërgon trupat në kufi, lajmëron NATO-n se Bjellorusia i ka hyrë në hapësirën ajrore

Polonia ka thënë të martën se po dërgon trupat e saj në kufijtë lindorë pasi ka akuzuar Bjellorusinë, aleatin më të ngushtë të Rusisë, për shkelje të hapësirës së saj ajrore me helikopterë ushtarakë.

Ushtria bjelloruse ka mohuar të ketë bërë një gjë të tillë dhe ka akuzuar anëtaren e NATO-s se ka bërë këto akuzat për të justifikuar grumbullimin e trupave të saj në kufi, raportoi Reuters.

Lexo më shumë  NATO: Rusët nuk kanë numra dhe aftësi për përparim strategjik në Ukrainë

Lideri i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, kishte ngacmuar më herët Poloninë me praninë e mercenarëve rusë të Wagnerit pranë kufirit të tyre të përbashkët.

Ministria polake e Mbrojtjes ka thënë se po dërgon “forca dhe burime shtesë, përfshirë helikopterë luftarakë”. Ka shtuar se ka informuar NATO-n për shkeljen e kufirit dhe se i ngarkuari për punë të jashtme i Bjellorusisë ishte thirrur për të dhënë shpjegim.

Ushtria polake fillimisht mohoi ndonjë shkelje kufiri, por më vonë, pas konsultimeve, ka thënë se një ndërhyrje kishte ndodhur “në një lartësi shumë të ulët, vështirë për t’u kapur nga radarët”.

Ministria bjelloruse e Mbrojtjes ka deklaruar se Varshava ka ndryshuar mendje për incidentin “siç duket pas konsultimit me zotërinjtë e saj jashtë shtetit”.

Rruga Press

YouTube player