Hulumtimi zbulon se si oligarkët rusë u shmangen sanksioneve
Një hulumtim i kryer nga një ekip gazetarësh, i udhëhequr nga iStories dhe Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), ka dhënë detaje se si njerëz nga rrethi i brendshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, ishin përpjekur të fshihnin pasurinë dhe asetet e tyre, pas sanksioneve të shumta ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë, që kur Moska aneksoi paligjshëm Krimenë e Ukrainës dhe më pas nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.
Sipas raportit të publikuar më 20 qershor, bazuar në gjetjet nga rrjedhjet e informacionit, mbi 50.000 e-maile dhe dokumente janë dërguar mes vitit 2013 dhe 2020, kanë treguar se si vëllezërit miliarderë, Boris dhe Arkady Rotenberg, – miq fëmijërie të Putinit – kanë zhvendosur kompanitë në mbarë botën “sikurse figura të shahut, kanë hapur llogari të reja bankare, teksa kanë mbyllur të vjetrat, duke ndryshuar strukturat e pronësisë, si përgjigje ndaj sanksioneve të reja apo pyetjeve të ngritura nga rregullatorët”.
Lidhur me këtë hulumtim, në të cilin janë përfshirë më shumë se 60 gazetarë, nuk janë dhënë detaje se si janë siguruar këto e-maile.
“Dosjet e Rotenbergut tregojnë se me gjithë sanksionet e vendosura, jo vetëm anëtarët e familjes së Putinit, por edhe shoqëria e tij ia kanë dalë ta ruajnë pasurinë e tyre jashtë vendit. Madje, ata ishin në gjendje edhe të vazhdojnë të investojnë në asete”, tha kryeredaktori i IStories, Roman Anin.
IStories është media jofitimprurëse, e themeluar nga gazetarët më të mirë hulumtues rusë.
“Për herë të parë, publiku tash mund të dijë se çfarë në të vërtetë është duke ndodhur dhe për metodat komplekse që përdorën fshehurazi për të mos mbajtur përgjegjësi”, shtoi ai.
Pas aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014, shtete të ndryshme perëndimore vendosën fillimisht sanksione ndaj personave më të pasur në Rusi.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Rusia është përballur me 11 runde të tjera sanksionesh nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë aleatë të tjerë ndërkombëtarë të Uashingtonit.
Këto sanksione kanë prekur 1.571 persona, 241 korporata dhe asete me vlerë dhjetëra miliarda dollarë.
Si rezultat i ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të vizave, hulumtimi zbuloi se shumë nga personat më të pasur të Rusisë janë përpjekur të gjejnë vende të sigurta për asetet jashtë shtetit me mbështetjen e shumë njerëzve në Perëndim.
“Këta oligarkë janë të sanksionuar nga Perëndimi në përpjekje për t’i ndëshkuar ata, por prapë se prapë nënvlerësimi i këtyre sanksioneve do të ishte i pamundur pa ndihmën e perëndimorëve — avokatët, bankierët, konsulentët dhe profesionistë të tjerë”, tha kryeredaktorja e OCCRP-së, Miranda Patrucic.
“Ushtria nuk është vetëm në fushëbetejë, ata janë edhe në zyrat në Evropë dhe SHBA, duke nxitur këtë sistem në dëm të qytetarëve në mbarë botën”, shtoi ajo.
Rruga Press